TIRANË, 5 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nuk do të cenojmë parametrat kryesorë të buxhetit, se duam që rindërtimi të jetë një plus në ekonomi”.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Kryeministri tha se “rindërtimi është prioritet i prioriteteve, por edhe të tjerat janë”.
Ai theksoi se “nuk do të prekim palcën e shtyllës kurrizore të gjithë skeletit të buxhetit, siç mund të na jetë sugjeruar apo propagandohet vërdallë si zgjidhje magjike”.
“Do të realizojmë një fond një kapacitet investues më të madh se sa ai i planifikuar nga ata që na thonë merri aty dhe bëni këtë. Nuk do të prekim asnjë nga programet e shërbimeve. Nuk mund të futemi në këtë histori duke i marrë disave dhe duke ia dhënë të tjerëve. Nuk mund t’u themi njerëzve ju nuk do të bëni më kontroll falas, se kemi nevojë për rindërtim; nuk do të bëni më hemodializë dhe të vdisni se kemi nevojë për rindërtim. Apo t’i themi nënave në maternitet merrni gërshërët me vete se ne nuk do t’i paguajmë më instrumentat shëndetësore”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se nuk do të ndalojë puna për rrugën e Arbrit se kemi rindërtim, apo të ndalojë kryerja e analizave mjekësore”.
Ashtu sikundër, Rama siguroi se “nuk do të heqim financimet e nevojshme për të vazhduar investimet koherente të ministrive se kemi rindërtim”.
Rama tha se “e para që do të bëjmë është të fshijmë nga buxheti të gjithë volumin e shpenzimeve për logjistikë, makina, zyra, pajisje, pa prekur strukturën e investimeve për teknologjinë, sepse aty do të ishte një tjetër budallik”.
“Po ashtu i kemi orientuar fondet për të mbyllur projektet në vazhdim duke prioritizuar projektet që lidhen me rindërtimin”, tha Rama.
Por, ai theksoi se “nuk do të heqim asnjë nga fondet e dedikuara për ujitjen dhe kullimin që janë fonde të reja”. “Nuk mund të themi se nuk do të pastrojmë më kanale ujitëse dhe kulluese se kemi rindërtim, se pastaj na vjen ndonjë faturë tjetër nga ndonjë shi këmbëngulës dhe na rroftë rialokimi symbullur i buxhetit”, tha Rama.













