TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Këto ditë vjeshte në qytetin bregdetar të Durrësit punonjësit e bashkisë po punojnë për pastrimin e zgarave dhe pusetave, por edhe për vendosjen e atyre të rejave.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, tha se “punonjësit janë të gjithë në terren për t’i mbajtur ato të zhbllokuara, por për këtë na nevojitet edhe ndihma e gjithsecilit prej jush”.
“Hedhja e qeseve dhe mbetjeve të tjera plastike, por edhe e inerteve në rrugë përbëjnë një problem të përhershëm për bllokimin e pusetave dhe të kolektorëve”, tha Sako.
Kryebashkiakja Sako u shpreh se bashkë me qytetarët mund t’ia dalim të kemi një qytet jo vetëm më të pastër, por edhe pa përmbytje.
Pastrimi i pusetave po kryhet për shmangien e bllokimit të tyre gjatë ditëve të dimrit me reshje shiu. /k.s/j.p/












