TIRANË, 19 nëntor/ATSH/- Rreth 170 studente të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër do të kenë kushte bashkëkohore në konvikt, pas rikonstruksionit të tij. Godina e konviktit të vajzave do të shndërrohet në një banesë moderne për studentet.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton projektin për rikonstruksionin e godinës numër 2 të konvikteve të studentëve, në qytetin Shkodrës në kuadër të Paktit për Universitetin.
Sipas FSHZH-së, është vendosur në 75% të fasadës rrjeta me koll dhe në katin e 3 dhe të 4 në ambientet e brendshme, ku janë vendosur dhe mermerët.
Ndërkohë në katin e 5 ka filluar procesi i shtrimit të pllakave në dhoma dhe ballkon. Janë hequr suvatimet e vjetra në katin e parë dhe në bodrumin e godinës.
Si dhe po kryhen procese korrigjim lartësie dyer ekzistuese dhe shpatullim.
Prej muajit shtator të këtij viti me financim të qeverisë shqiptare, kjo ndërhyrje synon të krijojë kushtet e përshtatshme, për studentët në qytetin e Shkodrës.
Punimet po vijojnë me ritme të larta dhe rikonstruksioni i saj i plotë parashikohet të kryhet në një afat kohor 4 muaj./a.gjonaj/ /a.g/












