Ballina Aktualitet

Basha: Blegtoria totalisht e braktisur, 4-5 oligarkë kontrollojnë importin

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ – “Blegtoria është totalisht e braktisur, duke nxitur më shumë braktisjen e zonave rurale.”Kështu ka deklaruar sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi me fermerët e Myzeqesë në Divjakë, në kuadër të turit të tij “Rrugëtimin për Shqipërinë”.

“Për këtë sektor, të bujqësisë dhe blegtorisë, njësoj si edhe për sektorët e tjerë të ekonomisë, potenciali është i jashtëzakonshëm dhe i pashfrytëzuar, por ka një mungesë totale të mbështetjes për blegtorinë. Blegtoria është totalisht e braktisur, duke nxitur më shumë braktisjen e zonave rurale. Pse zbrazen fshatrat tona dhe zbret numri i krerëve nga 5 mijë, në 500 lopë? Që të nxitet importi i ushqimeve nga jashtë, që ju e dini fare mirë se kush e kontrollon. Janë 4-5 nga këta oligarkët e kalçetos që kontrollojnë importin dhe e sjellin këtu. E gjitha kjo bëhet në kurrizin tuaj dhe të konsumatorëve, që, në vend të blejnë prodhime cilësore e të freskëta, natyrisht të certifikuara e të kontrolluara, nga vetë toka jonë, detyrohet të gëlltisë prodhimet e ngrira e shpesh herë skarco që vijnë nga kontrabanda e nxitur dhe e zbatuar nga një grusht njerëzish që pasurohen edhe duke helmuar shqiptarët me ushqime skarco,” u shpreh Basha.

Sipas kreut të PD, bujqësia është e braktisur pasi mungon mbështetja direkte me subvencione për fermerët.

“Mungon mbështetja direkte për fermerët me subvencione, mungojnë politikat nxitëse, mungon mbështetja me trajnim në vecanti të rinisë e cila po të trajnohet me mbështejta nga shteti nga agronomia te zooteknika, te adminsitrimi i biznesit, po të mbështetet infrastruktura…, –  nuk i linin traktorët të kalonin pa i gjobitur, – kanë shpikur lloj-lloj metodash për t’ju gjobitur,” tha më tej ai.

Basha ofroi edhe disa zgjidhje që sipas tij do të ndihmojnë sektorin e bujqësisë të zhvillohet.

“Platforma jonë bëhet nga disa parime thelbësore. Së pari, liria, të jeni të lirë e të qetë për të punuar, jo duke parë nga mëngjesi deri në darkë se nga po mbin shteti për t’ju goditur, se del inspektori të ndalojë prodhimet. Çlirimi nga frika e shtetit është gjëja e parë që do bëjmë ne. Nuk do shihni inspektoriate si grerëzat rreth mjaltit që vijnë për t’ju marrë prodhimet. Së dyti për tu garantuar tregun që prodhimet tuaja të shkojnë në treg të shiten me cmime të përballueshme për konsumatorin, gjë që arrihet duke zeruar koston, me përjashim të krahur të punës, përmes subvencionit,” tha ai. /a.sh./ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – Targa HH 1933 nuk mund të mbahet!
Artikulli tjetërFOTO/Soreca viziton panairin “Shqipëria punon tokën”: BE mbështet me krenari Shqipërinë