TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ – “14 nëntori shënon një datë historike për kombin shqiptar pasi 111 vjet më parë u krijua alfabeti i gjuhës shqipe”. Kështu shprehet ministri i Shtetit për Diasporën në kujtim të kësaj date të rëndësishme për historinë e kombit tonë.
Më 14 nëntor të vitit 1908 filloi punimet Kongresi i Manastirit, për krijimin e një alfabeti të njësuar që do të ishte fillimi i letërsisë tonë shqipe.
Kongresi i Manastirit ose i njohur ndryshe si Kongresi i Alfabetit përbëhej nga veprimtarë të çështjeve patriotike dhe figura të rëndësishme të kohës nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë, etj.
Duke nënvizuar rëndësinë e kësaj date e në homazh të saj, Majko thotë se me në krye Mit’hat Frashërin, Kongresi dhe 150 delegatët e tij u vendos që alfabeti i Stambollit të lihej mënjanë dhe gjuha shqipe të shkruhej me alfabetin latin me 36 shkronja, sikundër përdoret edhe sot.
























