Ballina Ekonomi

INSTAT – Inflacioni 1,3% në tetor

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Inflacioni, i cili mat ndryshimin vjetor të çmimeve të konsumit, llogaritet 1,3% në muajin tetor, duke mbetur nën objektivin prej 2-3% të Bankës së Shqipërisë.

Sipas Institutit të Statistikave krahasuar me muajin tetor të vitit të shkuar rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 3%, pasuar nga grupet “pije alkoolike dhe duhan” dhe “mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,4% secili.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “transporti” u ulën me 2%, pasuar nga grupet “veshje dhe këpucë” dhe “shëndeti” me 0,1% secili.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 9,7%, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 5,7%.

Krahasuar me muajin shtator 2019, çmimet e grupit “transporti” u ulën me 0,7%, pasuar nga “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,5%, “argëtim dhe kulturë” me 0,3% dhe “shëndeti” me 0,1 %. Ndërsa, çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” u rritën me 0,4%, pasuar nga grupet “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji“ dhe ”mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1% secili. /a.gjonaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFoto/ Durrës, policët bashkiakë ndërgjegjësojnë nxënësit e shkollës “Marie Kaçulini” mbi rregullat e qarkullimit rrugor
Artikulli tjetërFinancimi rus, Spiropali: Basha të përballet me Drejtësinë