PRISHTINË, 5 nëntor/ATSH/ Instituti i Kosovës për Administratën Publike (IKAP) dhe Ministria Federale e Gjermanisë për Çështje Ekonomike dhe Energji, kanë prezantuar sot projektin për partneritet institucional “Zhvillimi i mëtejmë i kapaciteteve trajnuese të IKAP-it”, i cili do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve në administratën publike.
Ministri në detyrë i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, u shpreh se ky bashkëpunim do të ketë efekte pozitive për ngritjen e kapaciteteve në administratë publike, e sidomos në këtë periudhë kur ka filluar implementimi i paketës ligjore të administratës publike.
Ai tha se beson që përmes këtij projekti dhe trajnimeve do të arrihet që të ketë një administratë publike më efikase dhe më produktive.
Menaxherja e projektit nga BMWi Sabine Reinkober, foli për partneritetin institucional si instrument i ri i Ministrisë Federale të Gjermanisë për Çështje Ekonomike dhe Energji (BMWi). Ajo tha se kanë partneritet me Institutin e Kosovës për Administratë Publike dhe se janë të interesuar në trajnimin e punonjësve të administratës publike.
Udhëheqësi i projektit Klaus Erdmann, teksa prezantoi projektin, u shpreh se janë tre komponentë në këtë projekt, që sipas tij janë thelbësorë për bashkëpunim.
Drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Kosovës për Administratën Publike, Refike Sulçevsi, tregoi sfidat me të cilat përballen për ofrimin e trajnimeve për nëpunësit civilë në Kosovë, si rritja e cilësisë së trajnimeve dhe krijimi i një infrastrukture më të mirë. /KosovaPress/























