Reforma zgjedhore/ Kumbaro: Të shtohen mekanizmat që rrisin transparencën e financimit të partive politike

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Mirela Kumbaro tha mbrëmjen e sotme në një studio televizive se Reforma Zgjedhore është e pashmangshme.

“PS i ka hapur dyert për të gjitha palët”, tha Kumbaro duke shtuar se opozita duhet të kuptojë që nuk bëhet dialogu në rrugë. “Në asnjë vend nuk di një rast që opozita të ketë braktisur institucionin dhe të shpresojmë që violenca ka marrë fund dhe fjala të ushtrohet në institucione. Për sa i përket financimit jemi në diskutim të të gjitha varianteve. Jemi për transparencë të partive dhe të shtohen mekanizmat që rrisin transparencën e financimit të partive politike”, theksoi ajo.

Deputetja e Partisë Socialiste Mirela Kumbaro, u shpreh se “Reforma në Drejtësi synon pastrimin e radhëve të policisë dhe në sistemin e drejtësisë, nga të inkriminuarit dhe kjo është shprehje e një vullneti politik për zbatimin e Reformës në Drejtësi”.

Në një intervistë televizive mbrëmjen e së martës, Kumbaro e pyetur për akuzat e opozitës se qeveria punon për interesa kriminale, lidhur me ngjarjen e plagosjes së një prokurori dy ditë më parë, tha se “kreu i opozitës Basha, është mirë që akuzat të mos i bëjë në retorikë, por nëse ka ndonjë informacion që Partia Socialiste nuk e ka t’ia përcjellë Prokurorisë për t’i shërbyer procesit të drejtësisë”.

Ajo shprehu habinë që një prokuror gjendet në shoqërinë e personave të dyshimtë, ndërsa theksoi se “qeveria është e vendosur dhe nuk ka kthim pas të zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe të gjithë ata elementë që në nisje të procesit të Vetingut dhanë dorëheqjen qoftë ata që po skualifikohen nga organet e Vetingut, janë vektor të vullnetit politik që është pastrimi i sistemit gjyqësor, pa të cilin nuk do të kemi progres”.

Kumbaro tha se, është Partia Socialiste ka kërkuar transparencë dhe nuk kursen në zbatimin e kësaj transparence kërrkënd dhe kur bëhet fjalë për drejtësi nuk ka parti, por përgjegjësi individuale përpara ligjit. “PS e ka treguar mëse një herë që nuk e ka përdorur kurrë pushtetin për t’iu shmangur asnjë lloj procesi”, – tha ajo.

e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.