PARIS, 1 nëntor /ATSH-AFP/ – Konferenca ndërkombëtare për klimën, COP25, do të zhvillohet në Spanjë në fillim të muajit dhjetor, në vend të Kilit, që hoqi dorë për shkak të krizës sociale që ka goditur vendin, njoftoi sot OKB.
“Ne jemi të lumtur të njoftojmë se zyra e COP-së ka rënë dakord që COP25 do të zhvillohet nga data 2 deri më 13 dhjetor në Madrid në Spanjë”, theksoi në një mesazh në rrjetin social Twitter, Patricia Espinosa, zyrtare e OKB-së për klimën.
Presidenti i Kilit, Sebastian Piñera njoftoi të mërkurën se hiqte dorë nga pritja e COP 25 në dhjetor, si dhe nga samiti i Forumit për Bashkëpunim Ekonomik Azi-Paqësor (Apec), që do të zhvillohej në Santiago në mes të muajit nëntor./ /ec/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.












