Tiranë, 30 Tetor/ATSH/- Edicioni i dytë i Expo-Medical, vjen nga nesër për 4 ditë me radhë në Tiranë me pjesëmarrjen e rreth 60 kompanive, si një nevojë e tregut për të afruar atë që në të vërtetë kanë nevojë njerëzit, shërbim shëndetësor të shpejtë dhe falas.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përcjellin një apel të rëndësishëm përmes zhvillimit të tij, atë se mënyra për të jetuar një jetë sa më të shëndetshme mbështetet mbi një kulturë të mirë shëndetësore.
Kryetari i dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka tha se panairi ka pikë të fortë ndërgjegjësimin dhe rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor, që përkthehet në rezultate shëndetësore më të mira, me në fokus pacientin.
Ai, vijoi Jaka, është një platformë ideale për të gjithë institucionet, organizmat dhe subjektet që të promovojnë produktet dhe shërbimet e tyre dhe të inkurajojnë një përmirësim të vazhdueshëm në rezultatin e shëndetit.
Eventi do të përfshijë një spektër të gjerë, që fillon me kujdesin, mënyrat si duhet reflektuar ky kujdes dhe deri në orientimet e duhura që do të jepen nga specialistë dhe ekspertë, të cilët do të jenë prezent, qoftë me pajisje, ashtu dhe me metodat e tyre më të avancuara që ka arritur sot shkenca dhe teknologjia.
/a.gjonaj/j.p/























