“Denonco”, sfida për sigurinë ushqimore

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ “Denonco” është sfida për sigurinë ushqimore.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) bën të ditur se, shpesh qytetarët hasin në pengesa dhe tentativa të vazhdueshme përfitimi në kurriz të tyre. Raste korrupsioni, tregtim të produkteve të skaduara dhe në kushte të papërshtatshme, janë disa nga shumë shkelje që çdokush mund të ndeshë çdo ditë. Ndaj AKU i bën apel qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi në kurriz të tyre.

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, krahas punës së pandalur çdo ditë të javës, ka nevojë edhe për “JU”, bashkëpunimin tuaj, ndaj të qënit pjesë e një sfide që prek secilin prej nesh do t’a bëjë sigurinë ushqimore edhe më të fortë.

Shumë raste të publikuara në web dhe media për ndëshkimin e subjekteve që kanë abuzuar apo tentonin të abuzonin në dëm të shëndetit të konsumatorëve kanë ardhur si frut i bashkëpunimit të suksesshëm Qytetar-AKU. Ju keni mundësinë të denonconi aktet korruptive apo sjelljet jo etike të punonjësve, shkeljet e çdo subjekti që kërkon rritje të përfitimeve në dëm të interesit të përbashkët për sigurinë ushqimore.

Rubrika “Denonco” është hapësira për të gjithë konsumatorët e përgjegjshëm që kërkojnë t’i shërbejnë përmirësimit të mëtejshëm të sigurisë ushqimore në vend.

Kontributi juaj është tepër i vlefshëm që në këtë sfidë të mos jemi vetëm, por bashkë edhe më të fortë”, citon në apelin e saj AKU drejtuar qytetarëve. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.