TIRANË, 18 tetor /ATSH/-Në një intervistë për radion “At Kokkino”, Nënkryetari i Parlamentit Europian dhe Shefi i Eurogrupit Siriza-Progresive, Dimitris Papadimoulis tha se bllokimi i fillimit të negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është hap negativ.
“Është një goditje e madhe për besueshmërinë e BE-së, një hap i madh prapa për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, në dëm të interesave të Greqisë dhe Perëndimit, Ballkanit, por edhe vetë BE-së”, tha Papadimoulis.
Më tej, ai tha se vendet kundër hapjes së negociatave ishin Franca, në aleancë me Holandën dhe me ndihmën e Danimarkës, pra, 3 nga 27 vende.
“Unë mendoj se Macron, për arsye të konsumit të brendshëm dhe nën presionin e Le Pen, duket negativ në perspektivën e zgjerimit të BE-së, që do të fillonte me një vendim që do të zgjaste për shumë vite. Për Greqinë, kjo periudhë zgjati 20 vjet”, tha ai.
“Përfaqësuesit e këtyre vendeve thanë se procesi për fillimin e negociatave të pranimit duhet të riformulohet. Dhe për këtë arsye, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të presin”, tha ai.
Papadimoulis gjithashtu tha se të dy vendet kanë bërë reforma madhore dhe tani me bllokimin e bisedimeve mund të zhvillohen tendenca destabilizuese.
“Maqedonia e Veriut dhe qeveria Zaev, me marrëveshjen e Prespes. Bënë përpjekje të mëdha: ata kanë ndryshuar emrin dhe Kushtetutën, ata kanë bërë reforma madhore dhe tani bllokimi i bisedimeve mund të zhvillohen tendenca destabilizuese”./p.s./























