TIRANË, 17 tetor /ATSH/ – “Pres me kënaqësi të shoh se si Programi Kombëtar i Debatit mbi Ekonominë do të japë fryte në formën e qytetarëve më të angazhuar. Shpresoj se ai do të krijojë një brez të rinjsh të armatosur me shprehitë dhe dëshirën për të forcuar më tej demokracinë e Shqipërisë. Teksa marrin përsipër këtë detyrë, Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me ta, duke i ndihmuar për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur shqiptare”, tha zv.shefja e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane, Lucija Straley në nisjen e Programit Kombëtar “Debati mbi Ekonominë”, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara.
Programi do të zbatohet nga Junior Achievement Albania në dymbëdhjetë universitete në mbarë Shqipërinë. Ai synon të ndërtojë një kulturë debati midis të rinjve duke i mësuar ata të mendojnë në mënyrë kritike për të përmirësuar aftësitë e tyre të komunikimit dhe për të rritur besimin e tyre për t’u përfshirë në ligjërimin publik si qytetarë aktivë.
“Programi i Debatit mbi Ekonominë synon të ndihmojë në ndërtimin e një publiku aktiv dhe të informuar duke edukuar studentët në debate”, u shpreh gjatë fjalës së saj Straley.
Straley theksoi se, “në thelb të saj, demokracia ka të bëjë me zgjedhjen. Por një zgjedhje, pa informacion të saktë, pa të menduarit kritik dhe pa të kuptuarit e opsioneve, është boshe. Ky program ka për synim t’u mësojë studentëve shprehi të tilla: si të gjejnë informacion nëpërmjet kërkimit, si të angazhohen në të menduarit kritik, dhe si të jenë në gjendje që të vlerësojnë qartë opsionet”.
“Ai u jep atyre mundësinë të shqyrtojnë çështjet që ndikojnë jetët e tyre dhe komunitetet e tyre si dhe t’i diskutojnë ato pa rënë në ofendime të ulëta. Këto janë shprehi dhe përvoja për të cilat studentët kanë nevojë jo vetëm për të qenë të suksesshëm në karrierat e tyre të ardhshme, por edhe për të ndihmuar forcimin e demokracisë në Shqipëri”, tha Straley.
Ajo shtoi se, “pa qytetarë aktivë të angazhuar në debat të thelluar mbi sfidat e politikave, demokracitë vyshken dhe lulëzon korrupsioni. Të mësuarit e themeleve të debatit mbjell farën për dialog të mirëfilltë, i cili iu duhet demokracive për të pasur sukses”.
“Dëshiroj të përgëzoj universitetet pjesëmarrëse për përkushtimin e tyre ndaj këtij program, organizatën Junion Achievement Albania për përpjekjet e saj për të zbatuar programin, si dhe Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për mbështetjen e qëndrueshmërisë së programit. Përkushtimi juaj është kyç për suksesin e programit”, tha Straley.
“Pres me kënaqësi të shoh se si Programi Kombëtar i Debatit mbi Ekonominë do të japë fryte në formën e qytetarëve më të angazhuar. Shpresoj se ai do të krijojë një brez të rinjsh të armatosur me shprehitë dhe dëshirën për të forcuar më tej demokracinë e Shqipërisë. Teksa marrin përsipër këtë detyrë, Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me ta, duke i ndihmuar për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur shqiptare”, përfundoi zv.shefja e Marrëdhënieve me Publikun Lucija Straley.
/a.a/r.e/























