TIRANË, 17 tetor /ATSH/ – Pasuria arkivore e MEPJ-së do të digjitalizohet falë projektit YPSILON të mbështetur nga AADF.
Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me ish-Ndihmëssekretaren e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroazisë në administratën e Presidentit Obama, Victoria Nuland dhe Michael Granoff, kryetar i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
Kreu i diplomacisë shqiptare në takim shprehu mirënjohjen e Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme dhe rolin thelbësor të SHBA-ve për ta shndërruar Ballkanin në një zonë bashkëpunimi dhe zhvillimi. Gjithashtu u diskutua rreth Partneritetit Strategjik SHBA-Shqipëri, një nga gurthemelet e politikës së jashtme të Shqipërisë.
Ndër të tjera, Cakaj evidentoi mbështetjen e pakursyer të AADF përmes projektit YPSILON.
“Kemi jetësuar projektin YPSILON përmes të cilit do të digjitalizohet gjithë dokumentacioni historik e arkiva e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Digjitalizimi i pasurive arkivore të MEPJ-së do lehtësojë qasjen e shtojë vetëdijen për historinë e diplomacisë shqiptare në përgjithësi”, u shpreh Cakaj.
/gj.mima/j.p/





















