TIRANË, 16 tetor /ATSH/- Banka e Shqipërisë njoftoi se do të ndërhyjë në tregun valutor duke blerë 3 deri 4 milionë euro, me qëllim ruajtjen e balancës në tregun e këmbimit valutor vendas.
Sipas Bankës Qendrore, ndërhyrja në tregun valutor kryhet për shmangien e çrregullimeve të tregut të brendshëm valutor, përshtatjen e kursit të këmbimit me nivelin e përcaktuar nga faktorët bazë makroekonomikë si dhe rritjen ose uljen e rezervës valutore.
Për këtë vit kjo është ndërhyrja e 8-të e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor ndërkohë që deri në muajin shtator BSH ka blerë 57.2 milionë euro për rritjen e rezervës valutore por dhe zbutjen e mbiçmimit të lekut ndaj euros. e.xh/j.p/












