TIRANË, 12 tetor /ATSH/ – Ekspozita “Autorë shqiptarë për Kinën – autorë kinezë për Shqipërinë” solli për publikun, përmes botimeve të rralla nga arkiva e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë , rrugëtimin e gjatë të marrëdhënieve dy-palëshe Shqipëri – Kinë.
Kjo ekspozitë përmban botimet e para të autorëve dhe letërsisë kineze në gjuhën shqipe, botime që sjellin kulturën dhe qytetërimin e lashtë kinez, filozofinë dhe gjuhën kineze, e më tej duke u ndalur në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zënë botimet në gjuhën kineze të autorëve më në shqiptarë : nga botimi më i hershëm i përmbledhjes së veprës së Migjenit “Poema dhe proza”, botuar në vitin 1954; “Poezi të zgjedhura” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit si dhe botimet e disa nga veprave më të rëndësishme të shkrimtarit të madh Ismail Kadare si “Piramida”, “Kamarja e turpit”, “Kështjella (Daullet e shiut)”, etj. Krahas letërsisë shqipe vijnë edhe emrat më të njohur të letërsisë kineze, të sjellja me mjeshtëri në gjuhën shqipe si : poema kineze “Van Kuei dhe Li Sian-Siani” shqipëruar nga Alqi Kristo dhe botuar në vitin 1953; “Lulekumbullat” poezi të përmbledhur të Konfucit, shqipëruar nga Sadik Bejko; “Shtrëngata” i shkrimtarit Cao Y botim i vitit 1954, përkthyer nga Nazmi Qamili; veprën e shkrimarit të mirënjohur Lu Xun (Hsun) “Thirrje për betejë”; apo nobelistin kinez Mo Yan me romanin veprat e tij në gjuhën shqipe si “Bretkosat”, “Klani u sorgumit të kuq”, etj.
Në këtë ekspozitë nuk mungojnë botimet dhe veprat mbi kulturën dhe qytetërimin kinez, nga botime mbi folklorin, albume, etj.
Një aspekt të rëndësishëm të marrëdhënieve dy-palëshe që reflektojnë nga kujtime të diplomatëve shqiptarë në Kinë, ditarë të udhëtimeve, etj., si “Në Kinën e popullit” i Qamil Buxhelit (1951); “Shqipëri – Kinë, dëshmi të një bashkëjetese” të autorit Enver Bytyçi (2014); “Shqipëria dhe Kina, një aleancë e barabartë” i Elez Biberaj (2014); “Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në Luftën e ftohtë 1956-1978” i Gjon Boriçi (2016), etj.
Botimet e para, si vlera të një rëndësie të veçantë të shtypshkrimit dhe botimit, përbëjnë një vlerë unikale për bibliotekat. I tillë është edhe botimi i parë i Shtëpisë Botuese “Foreign publishing print”, edicioni special i poemave të Mao Tsetung.
Kjo ekspozitë u organizua nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, Shtëpinë Botuese të Librit Universitar dhe Kërkimor – Pekin dhe Shoqatën Kulturore Kinë-Shqipëri. /a.a/ /a.g/






















