IRAK – Abdel-Mahdi diskuton me Pompeon për protestat

BAGDAD, 7 tetor /ATSH-DPA/ – Kryeministri irakian, Adel Abdel-Mahdi diskutoi gjatë një bisede telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo për protestat antiqeveritare në Irak.

Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e disa provincave të vendit për të protestuar kundër korrupsionit, mungesës së mundësive për punë dhe shërbimeve të dobëta, në veçanti të elektricitetit dhe ujit të pijshëm.

Më shumë se 104 persona kanë humbur jetën dhe 6 107 të tjerë janë plagosur.

“Kryeministri rishikoi zhvillimet e fundit dhe kthimin në normalitet pas shtetrrethimit si dhe konfirmoi se situata është nën kontroll”, deklaroi sot një zëdhënës i zyrës së Abdel-Mahdi-it.

Sipas deklaratës, ai pohoi se qeveria e tij ka dhënë një përshkrim të një pakete reformash dhe masash dhe do të vazhdojë t’i përgjigjet kërkesave të protestuesve.

Pompeo shprehu besimin e tij në forcat irakiane të sigurisë dhe konfirmoi mbështetjen e Uashingtonit për Irakun dhe përpjekjeve të qeverisë për të rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë./ /sara/ a.jor.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.