Shqipëri-Turqi, eksperiencë bashkëpunimi për implementimin e fondeve IPARD

TIRANË, 3 tetor /ATSH/- Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Frida Krifca, drejtore e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, në vijim të nënshkrimit të protokollit të bashkëpunimit me Agjencinë IPARD në Turqi, zhvilloi sot një seri vizitash në degën rajonale të Nevshehirit, për të parë nga afër investimet e mbështetura nga IPARD në sektorët e  bujqësisë dhe agroturizmit turk.

Kordinatori Kombëtar, Murat Asilturk, me shumë përkushtim shpjegoi të gjitha proceset sfiduese nga akreditimi, në ekzekutim, që ka hasur agjencia dhe aplikantët gjatë implementimit të thirrjeve IPARD.

Dega e Nevshehirit ka zbatuar 7 thirrje nga programi IPARD I dhe 6 thirrje nga IPARD II, me një total prej 25 milionë euro të disbursuara.

Krifca shprehet se, ky shkëmbim eksperience ishte një energji e re dhe mjaft e nevojshme për vizionin e agjencisë tonë. Nevshehir përfaqëson degën e Agjencisë IPARD, që mban një peshë të rëndësishme për financimin e turizmit rural dhe impaktin e drejtpërdrejtë në rimëkëmbjen e një numri të lartë bujtinash dhe shtëpish karakteristike prej guri, të cilat janë shndërruar në bujtina pritëse, për më shumë se 3 milionë turistë në vit”.

Vizitat u fokusuan në projekte bujtinash të financuara nga programi IPARD dhe në një projekt që ishte në fazë implementimi, ku ekspertët shqiptarë u njohën nga afër me procesin e verifikimit në terren.

Së fundmi, delegacioni vizitoi një fermë blegtorale që ndërthur suksesshëm blegtorinë me energjinë e rinovueshme për nevojat e fermës, si dhe vizituam një aktivitet të prodhimit artizanal të qeramikës, financuar prej programit IPARD i cili i njeh turistët me vlerat shekullore të zonës dhe ofron punësim indirekt për qindra punonjës në pikturimin e qeramikës.

e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.