Ballina Aktualitet

Xhafaj: Bundestagu konfirmoi progresin e bërë nga Shqipëria

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Zv/ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj e vlerësoi votimin pro hapjes së negociatave të Bundestagut gjerman si një kalim tejet pozitiv për Shqipërinë drejt asaj që është mbledhja Këshillit të Europës, ku në datat 17-18 tetor do të diskutohet mbi anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në një intervistë televizive, Xhafaj tha se, “Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, shqiptare sigurisht sa i përket lobimit për hapjen e negociatave është fokusuar tek Gjermania, por edhe tek një sërë vendesh të tjera. Fokusohet edhe në Paris, edhe në Hagë, për të parë sesi mund të njihet ky progres edhe aty në mënyrë që të hapim procesin e negociatave dhe pastaj të vazhdojmë me të gjithë detyrimet dhe sfidat që rrjedhin nga ajo”.

Xhafaj theksoi se, “ajo që është pozitive dhe që u njoh edhe nga Bundestagu, pra nga grupet e përbashkëta CDU/CSU dhe SPD është që ka pasur një përparim në ato që ishin kushtet që i ishin vendosur Shqipërisë dhe në ato që ishin çështjet për të cilat Shqipëria është monitoruar që nga lufta kundër krimit të organizuar tek krijimi i institucioneve të gjyqësorit dhe lufta ndaj trafiqeve. Pra ky monitorim, i cili është konfirmuar në muajin maj nga KE është konfirmuar tashmë edhe nga Bundestagu gjerman dhe do të ketë një thirrje pozitive nga Gjermania dhe që do të jetë për një paketë të përbashkët mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për t’u hapur negociatat dhe për të vazhduar më pas në rrugën drejt negociatave”.

Sa i përket sjelljes së opozitës, Xhafaj tha se, “ka një të vërtetë që të gjithë e shohim. E djathta gjermane është shumë më e interesuar për të ardhmen e shqiptareve dhe Shqipërisë sesa e djathta shqiptare dhe kjo është tejet e qartë. Ajo që po vuan opozita sot është që kushtet nuk janë të detyrueshme dhe që nuk janë më të ashpër. Sepse muajt e fundit kemi pasur një opozitë, e cila nuk ka thënë deri më sot dhe ende nuk po arrin të thotë një fjalë të mirë të vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Jo për atë që ka bërë qeveria, por për atë që meritojnë dhe është ambicia e 91% e shqiptarëve që është hapja e negociatave dhe hyrja në Bashkimin Europian”.

Xhafaj tha se, “opozita doli nga parlamenti, nuk u ul në tryezën zgjedhore duke vendosur kushtëzime të çuditshme nga më absurdet që një Kryeministër i zgjedhur me votën e lirë duhet të dorëhiqet dhe t’i hapë krahun dikujt tjetër, i cili synon me një pazar tavoline të vijë aty. Dhe opozita ka lobuar në të gjithë këto kryeqytete tek të cilat ka pasur pikëpyetje për Shqipërinë. Ka vënë në pikëpyetje jo vetëm institucionet shqiptare, por edhe institucionet multilaterale siç është Komisioni Europian”.

“Është e vërtetë, Shqipëria duhet të bëjë detyrat e shtëpisë përsëri. Jemi përpara një gjendjeje kur duhet të bëjmë disa zgjedhje dhe disa sakrifica të mëtejshme për të vazhduar këtë që është ëndrra historike e shqiptarëve”, – theksoi zv/ministri Xhafaj.

Ai nënvizoi se, “vendimi i thellë i qeverisë shqiptare ka qenë që të vazhdojmë rrugën e reformave, pasi përgjigja e vjetshme ishte që kishte një periudhë prej një viti ku do të monitorohej ecuria. Vlerësimi i vjetshëm ishte absolutisht sukses sepse kemi pasur për herë të parë një vlerësim pozitiv nga Komisioni për sa ishte paketa e punëve dhe 5 prioritetet që ishin vënë ndaj Shqipërisë. E kemi marrë sërish këtë vit dhe sërish kemi treguar që kemi pasur një avancim në të gjitha drejtimet. Qeveria shqiptare është angazhuar për ta bërë Reformën në Drejtësi. Se kush e ka votuar dhe kush nuk e ka votuar paketën ligjore të Reformës në Drejtësi kjo është shumë e qartë. Janë 26 ligje që përbëjnë të gjithë paketën ligjore në tërësi dhe akte nënligjore, të cilat kanë kaluar të gjitha në parlament. Dhe nga këto janë votuar vetëm 2 nga të gjitha palët në parlament, 24 të tjerat janë injoruar. Tek kjo pjesë qeveria shqiptare mbetet e angazhuar”.

Po ashtu, vijoi Xhafaj, “mbetemi të angazhuar për rishikimin e reformës zgjedhore, në bazë të sugjerimeve  të OSBE-ODIHR-it të 2019, pra pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Gjithashtu është ndjekja e hapave të mëtejshme të reformës në drejtësi, apo luftës kundër korrupsionit”.

Xhafaj theksoi se, “në rast se do të ketë një votë unanime të të gjithë ministrave të jashtëm të vendeve të BE në 17-18 tetor për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të kemi një konferencë ndërqeveritare BE-Shqipëri, e cila do të vijë pas kësaj date dhe do të caktohet. Në dokumentin e Bundestagut gjerman janë vendosur 2 kushte kryesore, të cilat janë për t’u përmbushur përpara kësaj Konference. Pastaj do të duhet të tregojmë që ka progres me të gjitha kushtet e tjera deri në Konferencën e dytë. Nga Konferenca e parë deri në Konferencën e dytë do të kemi një afat disamujor për të vënë në funksionalitet të gjitha institucionet. Ne do të përpiqemi që kohët të jenë sa më të shkurtra nga njëra Konferencë në tjetrën, në mënyrë që puna për kapitujt fillestarë 23 dhe 24, për të cilët është bërë një rrugë e qenësishme vitin e shkuar, të vijojë”.

“Një tjetër gjë  që është në procesin e negociatave është që hapja e këtyre kapitujve është një mënyrë për të hapur kapitujt e tjerë. Shqipëria është vendi parë në Europë që bën një reformë në drejtësi që është kaq thelbësore dhe kaq sistemike. Nuk ka vend sot qoftë anëtar, qoftë në proces negociatash, i cili ka bërë të njëjtën rrugë si Shqipëria, qoftë për punën, qoftë për sakrificat për të arritur në këtë pikë. Të gjithë ata që e shohin objektivisht këtë proces janë të bindur që ne nuk kemi përfituar nga të tjerët përkundrazi ka një angazhim të skajshëm dhe pozitiv të BE për të vijuar me reformat. Procesi i integrimit dhe zhvillimit është një proces që ndodh së bashku. Nuk mund të zhvillohet në fillim një vend pastaj një vend tjetër, të gjithë vendet zhvillohen së bashku. Prandaj është e rëndësishme që të mos kemi diferencim, sepse Ballkani Perëndimor duhet të integrohet i plotë dhe bashkë”, – tha Xhafaj.

Sa i përket lobimit në qeverinë holandeze, Xhafaj tha se, “jemi në diskutim të vazhdueshëm me qeverinë holandeze ashtu siç jemi në diskutim të vazhdueshëm me qeverinë gjermane, me qeverinë franceze dhe me të gjithë partnerët e tjerë, të cilët kanë qenë të interesuar, qoftë në procesin e luftës kundër krimit të organizuar, qoftë në procesin e azilkërkuesve dhe emigracionit të paligjshëm. Kemi çuar të gjitha të dhënat që kemi pasur mundësinë dhe kemi vendosur për t’i kontrolluar këto fenomene negative përmes programeve që kanë sjellë ulje të këtyre fenomeneve. Ne presim që nga qeveria holandeze të njihet ky progres dhe të hapen negociatat. Pastaj do të jetë një proces monitorimi që do të vazhdojë në çdo moment gjatë zhvillimit të negociatave dhe do të kemi një riforcim të mëtejshëm të institucioneve, të cilat luftojnë për zbatimin e ligjit në Shqipëri dhe luftojnë krimin e organizuar”.

Sa i përket Greqisë, Xhafaj tha se, “nuk kemi probleme me Greqinë. Shqipëria është një nga vendet në Europë që është më përpara sa i përket minoriteteve. Qoftë për njohjen, qoftë për kalimin e ligjit, qoftë për aktet nënligjore, të cilat janë duke kaluar tani. Këtë e kemi bërë me synimin e qartë për të hapur negociatat. Ne jemi një nga ato vende që janë më përpara sa i përket trajtimit të minoriteteve. Sigurisht çështja për të cilën flitet nga ana e Greqisë, të cilën ka adresuar kryeministri grek përpara disa javësh është një çështje shumë specifike që ka të bëjë me trajtimin e pronave në bregdet. Qeveria shqiptare nuk është se po mban një qëndrim të diferencuar mes minoritetit grek dhe qytetarëve të tjerë shqiptarë, por jemi në një proces shtjellimi dhe vlerësimi të të gjitha akteve, të cilat janë bërë në dy dekadat e fundit në lidhje me të gjithë qytetarët shqiptarë, sa i përket padrejtësive të pronave në bregdet. Dhe rrjedhimisht në momentin që ky adresohet si problem, absolutisht që minoritarëve apo minoritetit grek në Shqipëri, ashtu si të gjithë qytetarëve të tjerë shqiptarë, do t’u njihet e drejta e tyre. Sepse sot ajo që vlen të përmendim ne është që përtej bashkëjetesës fetare që kemi një bashkëjetesë mbaretnike, e cila nuk paragjykon asnjë nga vendet e tjera dhe besoj se për këtë jemi model në Ballkan dhe Europë”.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBashkia Mat nis aksionin e pastrimit të pusetave
Artikulli tjetërBraçe: Lulzim, fiks 9 lajme të mira nga Gjermania, të gjitha për Reformën në Drejtësi