TIRANË, 18 shtator/ATSH/- “Reforma në sistemin e drejtësisë është një përpjekje e rëndësishme për të përmbysur mentalitetin e krijuar në një klase të politikës, por edhe gjyqësorit, që ishin të paprekshëm dhe të gjithëpushtetshëm”, deklaroi sot ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e pranishme në aktivitetin e organizuar në Shkollën e Magjistraturës.
Në këtë aktivitet me temë: “Negociatat për Anëtarësim dhe Suksesi në Fushat Kryesore të Gjyqësorit, Luftës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Shërbimeve të Inteligjencës dhe Administratës Publike”, i pranishëm ishte kryetar i Komisionit Parlamentar për Monitorimin e zgjedhjeve, imunitetin dhe procedurat parlamentare, deputeti gjerman, Patrick Sensburg.
Gjonaj falënderoi deputetin gjerman Patrick Ernest Hermann Sensburg për të gjithë mbështetjen e tij kundrejt Shqipërisë.
“Patrik vjen nga një eksperiencë e gjatë si jurist dhe profesor në Gjermani dhe ka qenë gjithmonë një mbështetje e fortë për Shqipërinë në Parlamentin gjerman, por njëkohësisht theksoj edhe për mua si Ministre Drejtësie”, – u shpreh ministrja Gjonaj.
Ajo tha se “falë angazhimit të tij, por edhe njëkohësisht disa deputetëve të koalicionit të CDU/CSU si dhe kancelarisë gjermane, unë sot jam më se e bindur që deputetët gjerman ashtu si edhe publiku janë të mirëinformuar mbi reformat e forta shtetformuese që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit dhe që, nëse ne në tetor do të kemi një dritë jeshile për hapjen e negociatave, do të jetë edhe për shkak të mbështetjes që na kanë në rrugëtimin tonë z. Sensburg personalisht por edhe miqtë e Shqipërisë”..
Gjonaj gjatë fjalës së saj u ndal edhe tek implementimi i Reformës në Drejtësi dhe rezultatet e arritura deri më sot falë kësaj reforme.
Ajo nënvizoi faktin se “reforma në sistemin e drejtësisë është një përpjekje e rëndësishme për të përmbysur mentalitetin e krijuar në një klase të politikës, por edhe gjyqësorit, që ishin të paprekshëm dhe të gjithëpushtetshëm”.
Gjatë këtij leksioni të hapur, Ministrja e Drejtësisë dhe deputeti gjerman, ndër të tjera vlerësuan punën e bërë me reformat nga Shqipëria, ku arritja më e madhe sipas ministres është kthimi i besimit të qytetareve tek organet e drejtësisë.
“Këshilli i Ministrave ka miratuar buxhetin fillestar të SPAK si dhe fondet e nevojshme për përshtatjen e zyrave të reja të punës së SPAK me qëllim që me ngritjen e tij, të ketë në dispozicion çdo burim financiar dhe njerëzor të nevojshëm për të luftuar pa kompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo që është më e rëndësishmja për të zhdukur njëherë e përgjithmonë, kulturën e pandëshkueshmërisë në shoqërinë shqiptare”, – tha ministrja Gjonaj.
Në mbyllje ajo nënvizoi faktin se duhet “të jemi krenarë për çfarë kemi arritur. Kemi rrëzuar një sistem të kalbur dhe nga kemi ringritur një sistem të ri nga themelet”. /a.g/



























