Ballina Ekonomi

Denaj: Modernizimi i sistemit të mbledhjes së taksave ndihmon në luftën kundër informalitetit

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ – “Biznesi dhe administrata tatimore duhet ta shohin veten si partner në procesin e fiskalizimit”, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

Gjatë një konsultimi publik me bizneset për projektligjin e Fiskalizimit, Denaj  tha se “modernizimi i sistemit të mbledhjes së taksave ndihmon gjithashtu luftën kundër informalitetit duke mos u mbështetur vetëm tek inspektimi në terren por tek analizat e riskut si forma më efikase për të mposhtur këtë fenomen në një periudhë afatgjatë”.

Gjithashtu Denaj u shpreh se, “biznesi dhe administrata tatimore duhet ta shohin veten si partner në këtë proces pasi ky është një rrugëtim i cili i shërben mirëqënies së përbashkët”.

Projektligji i Fiskalizimit synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend. Ai parashikon që, duke nisur që nga data 1 janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri-tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike. /a.a/ /a.g/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDita Botërore e Ndihmës së Parë/ Manastirliu: Telefono në numrin 127, shpëto një jetë
Artikulli tjetërOperacioni “Limit”/ Gjykata vendos masën e sigurisë për 24 të arrestuar