Ballina Aktualitet

Reforma zgjedhore/ Balla: Opozita e ka vendin në Komision, nuk do të mbetet peng nëse nuk duan

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot në Kuvend se reforma zgjedhore duhet bërë me opozitën joparlamentare, e cila e ka vendin në Komision, por shtoi ai, nëse ata nuk duan ta bëjnë kjo nuk do të thotë që reforma zgjedhore në Shqipëri do të mbetet peng.

Në fjalën e tij në seancë parlamentare ku u diskutua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, për mbrojtjen shoqërore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë”, Balla tha se “PS nuk ka kushte për reformën zgjedhore. Votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit e kemi kërkuar dhe vazhdojmë e kërkojmë. Paraardhësit tuaj (iu drejtua ai deputetit Myslym Murrizi) nuk duan që shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të votojnë, shpresoj që ju të jeni dakord me këtë çështje”.

“Sa i përket rekomandimeve të OSBE/ODHIR, për një vend si Shqipëria, e cila vitin e ardhshëm ka presidencën e organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë janë detyrim, edhe teksa presim 17-18 tetorin për të kuptuar nga Këshilli Europian datën e mundshme të nisjes së bisedimeve për anëtarësim”, – nënvizoi Balla.

Kreu i grupit të PS-së tha se “nuk mund të vini këtu e të thoni rekomandimet e OSBE/ODHIR nuk kanë vlerë, pasi ato janë themelore. Nëse i referoheni frymës së Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor merren për bazë rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe në këto rezultate PD dhe LSI rezultojnë të jenë parti parlamentare. Për këtë arsye harroje ti se unë paskam dashuri për Lulzim Bashën. Gjëja e fundit që mund të më akuzosh kjo është. Por ama kam respekt për historinë politike të këtij vendi dhe për vijueshmërinë e një komunikimi dhe dialogu politik gjithëpërfshirës”.

Ndaj, vijoi ai, në komisionin e reformës i është lënë edhe një karrige bosh Partisë Demokratike për të ushtruar të drejtën e saj për të dhënë propozime. “Nëse ata nuk duan ta bëjnë kjo nuk do të thotë që reforma zgjedhore në Shqipëri do të mbetet peng”, – tha Balla.

“Gjiknuri dhe Hajdari komunikojnë në mënyrë të vijueshme ju nxis të mblidhni sa më shpejt komisionin. Komisioni prej ditës së sotme do të ketë edhe dy anëtarë të tjerë, Alimadhi dhe Shameti, ju ftoj t’i votoni në përfundim të seancës. Ne do të kemi një kod të ri zgjedhor, ku e përsëris pa depolitizuar komisionet e zgjedhjeve nuk kemi bërë reformë zgjedhore në Shqipëri, pa hequr partitë nga numërimi i votave s’kemi bërë reformë”, – theksoi Balla.

Balla u shpreh se “nuk dua që PS të ketë më përfaqësues në komision as në grupe numërimi këtë duhet ta bëjnë vullnetarë njerëz që nuk kanë lidhje me politikën dhe nëse një votë e vetme lëviz nga njëra parti tek tjetra ai të mbajë përgjegjësi e të dënohet 7 vite burg”.

Duke folur për hapjen e negociatave për anëtarësim Balla tha se “të jeni të sigurt edhe pas ndonjë diskutimi pesimist që mund të bëhet shpesh herë ne do ti fillojmë bisedimet për negociata me BE, sepse Shqipëria e ka përmbushur pjesën e vet të detyrave të shtëpisë dhe teksa negociojmë për anëtarësim në BE jo vetëm të detyruara por edhe për shkak të një procesi intensiv të negociatave ku janë përfshirë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe vetë Kryeministri Rama”. /k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLigji për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, rriten kompetencat e bashkive për t’i dhënë më të mirën qytetarëve
Artikulli tjetërBasha paralajmëron deputetët që do të rrëzojnë dekretet e Metës