TIRANË, 10 shtator /ATSH/- Në pritje të çeljes zyrtare të negociatave, grupet e punës përgjegjëse për kapituj të ndryshëm të acquis vijojnë përgatitjet për takimet dypalëshe respektive (bilateral screening meeting), ku do të prezantojnë nivelin e përafrimit dhe zbatimit të legjislacionit sipas Bashkimit Europian.
Sot anëtarët e grupit të punës për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik” morën pjesë në një takim simulimi dypalësh, ku prezantuan kuadrin ligjor dhe atë institucional si dhe aspekte të tjera të përafrimit.
Qëllimi i këtij simulimi është të ndihmojë anëtarët të ushtrohen praktikisht për këtë detyrë si dhe të përmirësojnë informacionin e dhënë, strukturën, aftësitë prezantuese etj, nëpërmjet rekomandimeve të dhëna nga ekspertët të vendosur në rolin e përfaqësuesve të Komisionit Europian.
/j.p/























