CHARLESTON, 6 shtator /ATSH-AFP/ – Bilanci pas kalimit mbi Bahamas të uraganit Dorian mund të jetë i tmerrshëm, ndërkohë që stuhia i është drejtuar brigjeve lindore të SHBA-së.
Kryeministri i Bahamasit, Hubert Minnis, paraqiti ditën e djeshme një bilanc paraprak prej 30 të vdekurish, duke u shprehur se ky shkatërrim do të ndihej për breza me radhë.
Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë, Duane Sands, tha se në zonat e shkatërruara janë dërguar mjete të posaçme, për t’u kujdesur për kufomat dhe për të ndihmuar autoritetet vendore që t’i bëjnë ballë këtij shkatërrimi.
Duke iu referuar një bilanci përfundimtar të mundshëm, ai shtoi se “mund të them se bilanci përfundimtar do të jetë i tmerrshëm”.
Në portin e Marshit, uragani i kategorisë 5, kategoria më e lartë që ka goditur ndonjëherë arkipelagun, la pas shkatërrime të mëdha: shtëpi të kthyera në pirgje druri, makina të përmbysura, fusha të tëra me mbeturina, anije të bllokuara dhe zona të shumta të përmbytura.
Ferr gjithandej
Mijëra persona kanë mbetur pa strehë dhe, sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 70.000 njerëz (në një popullsi të përgjithshme prej 390.000 banorësh) kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme.
“Është një ferr i vërtetë ngado”, tha për gazetarët një kanadez, Brian Harvey, në Great Abaco, një nga zonat më të prekura.
“Ndodhesha në jahtin tim. Humba gjithçka”, shpjegoi ai.
“Tani na duhet të largohemi prej këtu. Po bëhen gati pesë ditë. Duhet të ikim”, shtoi ai.
Në Nassau, Steven Turnquest, që ndodhej në portin e Marshit bashkë me dy fëmijët e tij, 4 dhe 5 vjeç, u shpreh se ndihej i lumtur thjesht që kishin mbijetuar.
“Gjatë kalimit të uraganit, iu luta vazhdimisht Zotit që të më merrte mua dhe të shpëtonte fëmijët e mi. Arrita të mbijetoj duke u kapur pas një dere”, tha ai për gazetarët.
Në bregun amerikan, Doriani është drejtuar këtë mëngjes drejt Karolinës së Veriut, si një stuhi e kategorisë 1, sipas Qendrës amerikane të Uraganëve.
Megjithatë, para se të dobësohej, ai krijoi shumë tornado të vegjël, që në pamje të parë nuk duket se kanë shkaktuar viktima.
Në orët e para të mëngjesit, ai iu drejtua verilindjes me shpejtësi 24 kilometra në orë dhe erëra që fryjnë me rreth 150 kilometra në orë.
“Gjatë ditëve në vazhdim pritet një dobësim i lehtë, megjithatë Dorian do të mbetet një uragan i fortë gjatë kohës që syri i tij zhvendoset përgjatë bregut të Karolinës së Veriut”, vazhdoi Qendra e Uraganeve, duke paralajmëruar se në zona të ndryshme të këtij shteti mund të ketë rritje të rrezikshme të nivelit të ujit.
Këtë të premte, Karolina e Veriut po përgatitet për më të keqen.
Disa vënë barrikada para shtëpive të tyre e disa të tjerë largohen nga rajonet e kërcënuara.
“Doriani e ka vënë nën shenjestër Karolinën e Veriut. Ka për të qenë në natë e gjatë”, paralajmëroi ditën e djeshme Roy Cooper, guvernatori i këtij shteti, që u godit mjaft rëndë edhe vjet, në po të njëjtën periudhë, nga uragani Florence.
Presidenti Donald Trump tha se po e ndiqte situatën nga afër dhe se kishte zhvilluar biseda telefonike me guvernatorin Cooper, si edhe me guvernatorët e Karolinës së Jugut dhe Xhorxhas, të prekura më herët nga uragani Dorian.
Ai vlerësoi punën e skuadrave ndihmëse të mobilizuara përgjatë bregut.
Shumë zona të bregut juglindor të SHBA-së, ku jetojnë miliona njerëz, janë vënë në gjendje alarmi dhe vende-vende është dhënë urdhri për evakuiim të detyruar./ (Nga Lucie Aubourg në Charleston dhe Gilles Clarenne në Marsh Harbour) /ervo/ a.jor.























