Raporti i ODIHR, Xhafaj: Opozita e keqinterpreton, synim cenimi i imazhit të vendit

TIRANË, 6 shtator/ATSH-A. Fortuzi/ Zv/ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, gjatë një interviste televizive tha se opozita po keqinterpreton raportin e publikuar nga OSBE/ODIHR-i për zgjedhjet e 30 qershorit.

Xhafaj tha se sjellja e opozitës ka si qëllim cenimin e imazhit të Shqipërisë për bllokimin e çeljes së negociatave për përfitim të ngushtë politik, ndërsa shton se ky raport duhet të jetë një mundësi e mirë për dialog politik mes të gjithë spektrit politik në vend.

Zv/ministri Etjen Xhafaj, duke iu referuar edhe deklaratave të opozitës, u shpreh se “arsyeja përse jemi në këtë pikë sot është kriza politike e cila vijon të sjellë një përçarje të skajshme mes dy krahëve”.

“Kemi dëgjuar edhe sot deklarata nga opozita në lidhje me raportin për zgjedhjet e 30 qershorit dhe kemi parë se ka pasur interpretime shpeshherë dhe tërësisht jashtë fjalëve dhe përmbajtjes së raportit, i cili është teknik në pjesën më të madhe dhe nuk bën përkufizime si, zgjedhje moniste… etj”, – tha Xhafaj.

“Unë besoj se ka dy përfundime të cilat janë, le të themi të përgjithshme në raport. I pari, është që zgjedhjet e 30 qershorit kanë qenë zgjedhje të vlefshme. Ka pasur mbikëqyrje, misione vëzhgimi, ka pasur një ecuri që është detajuar nga fillimi deri në momentin e fundit të procesit, si edhe pas numërimit dhe ka një reflektim ku janë paraqitur edhe disa sugjerime. E dyta, është që në thelb ka pasur një problem të madh në procesin zgjedhor dhe problemi kryesore ka qenë bojkoti opozitës”, – nënvizon Xhafaj.

“Pika kryesore e raportit ka të bëjë me të drejtën për të zgjedhur nga zgjedhësi. Ajo që opozita nuk do ta kuptojë, ajo jashtë parlamentit flas, është që zgjedhjet nuk bëhen për të fituar PD apo LSI, por që zgjedhjet bëhen çdo katër vite që shqiptarët të shprehin me votën e lirë vullnetin e tyre. Kjo është e drejtë e qytetarëve”, – thekson ai.

“Pastaj subjektet politike duan të bëhen apo jo subjekte elektorale është zgjedhje e lirë e subjekteve. Por kjo, – theksoi më tej Xhafaj, – pavarësisht se cenon në sytë e ndërkombëtarëve ecurinë e gjithë procesit është diçka që e kanë vendosur vetë, është një vendim specifik i opozitës për të dalë nga parlamenti dhe pastaj për ta çuar më tej dhe me bojkotin e zgjedhjeve dhe për të kaluar në një kërcënim të hapur jo vetëm ndaj sistemit politik, jo vetëm ndaj institucioneve dhe Kushtetutës, por dhe ndaj qytetarëve. Nuk duhet të harrojmë se kemi pasur dhe kërcënime gjatë ditës së zgjedhjeve, që ka pasur incidente të ndryshme dhe që janë përfshirë dhe në raport, fatmirësisht s’ka pasur dhunë, por ka pasur kërcënime dhe incidente”.

Sipas tij, akuzat e artikuluara nga opozita ditët e fundit, duke cituar raportin janë të njëjtat me akuzat e artikuluara po nga kjo opozitë para publikimit të këtij raporti.

“Sot kemi dëgjuar terma dhe fjalë të përdorura nga opozita, që janë të njëjtat dhe përpara se të dilte raporti. OSBE bënë një vlerësim të kthjellët të zgjedhjeve dhe të situatës që ka ardhur deri në ditën e  zgjedhjeve dhe ajo që thuhet që në faqen e parë është se, pavarësisht se zgjedhësit nuk patën mundësi të zgjidhnin mes alternativave politike, pasi partitë opozitarë vendosën të mos marrin pjesë në zgjedhje, dhe ngado që të kthehemi te ky raport, kthehemi te e njëjta pikë, pra që e drejta e qytetarëve për të zgjedhur nuk u cenua në asnjë mënyrë nga qeveria, por kemi zbatim rigoroz të kushtetutës, për të mbajtur zgjedhjet brenda afatit katërvjeçar dhe kemi problemin e madh që njëra palë nuk hyri në zgjedhje për të cenuar imazhin e vendit, procesin zgjedhor dhe në fund të ditës, imazhin e shqiptarëve, pavarësisht se kë votojnë ato duhet të kenë mundësi të zgjedhin”, – tha Xhafaj.

“Prandaj dhe qeveria nuk ra pre e shantazhit e dhunës ndaj institucioneve me kushte të tipit, ik ti që të vijë unë në pushtet, por vijoi rrugën e zbatimit të Kushtetutës. Dhe kjo zgjedhje është mbështetur dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, – nënvizoi zv/ministri.

“Që nga rënia e sistemit komunist në vitin ’90 po përpiqemi të ngremë disa institucione që janë bazë të demokracisë dhe këto institucione po sulmohen dhe sot përmes protestave. Demokracia nuk është forum i protestës në rrugë, por e drejta për të zgjedhur. Kjo e drejtë u respektua pavarësisht problemit të madh që njëra pjesë e politikës vendosi ta bojkotojë këtë të drejtë”, – tha ai.

Duke folur për pjesën e raportit të “OSBE”, që fliste për presione në administratë, zv ministri Xhafaj theksoi se kjo i adresohet sërish opozitës. “Pjesa e presionit ndaj administratës, ku përmenden dhe 13 bashki të djathta, Shkodra, Pogradeci… etj, ku administrata u përdor për të bllokuar qendrat e votimit është pjesa specifike dhe teknike e problemeve që duhen adresuar në reformën zgjedhore dhe për këtë pikë jemi të hapur për dialog”, tha ai.

“Sa i takon Kolegjit Zgjedhor, ai i ka marrë vendimet e veta. Ajo që vlerësohet është se mbledhjet e KQZ dhe Kolegjit kanë qenë publike dhe të transmetuara. Ajo palë që del e paragjykon gjithçka bëhet duhet të nis nga fakti fillestarë, që është fakti se partitë kryesore të opozitës vendosën të dilnin e të mos merrnin pjesë në zgjedhje dhe në fund të ditës ishte një proces ku opozita u përpoq të bindte qytetarët se s’ka zgjedhje pa ne, ndërsa 30 qershori ishte prova se kjo s’duhet të vendosej si precedent, dhe u arrit kjo gjë”, – tha Xhafaj.

“Unë, – shtoi ai, – nuk besoj se mund të flasim për njohje apo jo. Ato janë njohur dhe partnerët e Shqipërisë janë shprehur me keqardhje për mospjesëmarrjen e opozitës. Ato janë njohur e për këtë s’ka pasur diskutim”.

“Raporti ka disa vrojtime teknike që duhen vlerësuar nga të gjitha palët politike. Disa pika janë të përsëritura. Aty flitet dhe për përbërjen e Komisioneve zgjedhore dhe vëzhguese. Këto janë sugjerime që janë në çdo raport. Komisionet zgjedhore s’duhet të jenë të përbërë me persona që vijnë nga politika, por duhet të jenë nga fusha të tjera. Këto dhe një sërë sugjerimesh të tjera duhen adresuar te reforma zgjedhore. Kjo reformë është e domosdoshme dhe për t’i dhënë të drejtë edhe emigrantëve shqiptarë të marrin pjesë në votime”, – tha Xhafaj.

Duke bërë një krahasim dhe me zgjedhjet e viteve më parë, Xhafaj kujton se “kemi pasur zgjedhje që janë vendosur në zyra e jo kuti votimi. Kemi pasur zgjedhje ku është ushtruar dhunë dhe fatmirësisht e majta dhe qeveria jonë e ka mbyllur atë kapitull. Këto nuk vlerësohen si zgjedhjet më të këqija që ka bërë Shqipëria. Por asnjë nga palët s’mund të jetë krenare për këto zgjedhje”, – tha Xhafaj.

“Por duhet theksuar se precedenti që do të krijohej nëse zgjedhjet nuk do të bëheshin se nuk mori pjesë opozita është diçka nga e cila do vuanin shqiptarët, pasi kjo gjë do përsëritej pafund nga të gjitha opozitat në Shqipëri”, – tha Xhafaj më tej.

“Ne kemi luftuar këto 29 vite të ngremë këto institucione dhe ligje për t’i dhënë të drejtë qytetarëve që një herë në katër vite të votojnë për të zgjedhur dhe s’mund t’i hedhim poshtë këto vite se një parti s’do të futet në zgjedhje. Ne nuk japim një imazh të mirë nga vetja jonë. Ky sulm i vazhdueshëm i opozitës dhe në disa raste me materiale të falsifikuara është diçka negative”.

“Dhe po të shikoni se të gjitha artikujt në mediet ndërkombëtare që flasin negativisht për vendin tonë kanë disa referenca qartësisht të drejtpërdrejta nga deklarata e opozitës shqiptare dhe ato merren për bazë. Fatkeqësisht ne po njollosim veten tonë, ne si shqiptarë po njollosim shqiptarët dhe kjo përçarje dhe kjo dhunë ka qenë kryesisht për të njollosur dhe minuar procesin më të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë pavarësisht janë të majtë apo të djathtë, procesin për çeljen e negociatave dhe anëtarësimin e vendit në BE”, – tha ai.

“Raporti pozitiv i Komisionit Europian ishte moment kur ne duhet të uleshim në tavolinë për të realizuar aspiratën e të gjithëve. Dhe në fakt patëm krejtësisht diçka të kundërt, të padëgjuar duke e shprehur çuditshëm dhe duke marrë shembull nga Afrika apo Amerika Latine që kanë kaluar luftëra civile, për një situatë ku në rrugë dhe realitet nuk është siç përshkruhet nga opozita dhe kjo u bë për të minuar aspiratën kryesore të shqiptarëve me shpresë se do të kishte përftimit politik mazhoranca nëse do arrihej. Në fakt përfitimi s’do ishte politik, por praktik, ekonomik, zhvillimor për të gjithë shqiptarët”, – tha Xhafaj.

“Gjithsesi, tashmë procesi nuk është më në dorën tonë, ne kemi realizuar detyrën dhe kemi marrë dritën jeshile dy vite radhazi për hapjen e negociatave dhe tani i takon Këshillit të Europës për të vendosur hapjen e negociatave në tetor. Pavarësisht kësaj, tashmë ka ardhur koha të ulemi të diskutojmë dhe të zgjedhim të mirën e përbashkët, duke lënë mënjanë ndasitë”, – përfundoi Xhafaj./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.