TIRANË, 6 shtator/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot në një takim ambasadoren e Republikës së Greqisë, Eleni Sourani, me rastin e mbarimit të mandatit të saj në Shqipëri.
Kryetari Ruçi e falënderoi ambasadoren Sourani për shërbimin e saj në të mirë të forcimit të marrëdhënieve e të bashkëpunimit midis të dy vendeve.
“Shqipëria dhe Greqia janë dy vende fqinje dhe mike. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ynë duhet të thellohen. Nuk ka asnjë pengesë për fuqizimin e bashkëpunimit shqiptaro-grek. Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoritarët grekë në Shqipëri shërbejnë si ura të fqinjësisë e miqësisë midis të dy vendeve. Popujt tanë kanë treguar se dinë të merren vesh e të bashkëpunojnë me njeri-tjetrin më mirë sesa qeveritë”, – theksoi Ruçi.
Ambasadorja Sourani e falënderoi Ruçin për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë si edhe për kontributin personal në përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
“Urtësia juaj ka qenë një mbështetje e madhe për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Nuk ka asnjë rrethanë midis të dy vendeve tona që të pengojë fuqizimin e miqësisë e të marrëdhënieve midis Shqipërisë e Greqisë. Rreth 65 mijë familjet e përziera shqiptaro-greke janë një faktor tjetër për fuqizimin e miqësisë midis popujve”, tha Sourani.
/m.m/





















