TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Kaskada e Drinit është më e madhja në Ballkan dhe mbulon 70% të kërkesës së vendit për energji, duke prodhuar energji të pastër me kosto të ulët për konsumatorët familjarë.
Ministria e Infrastrukurës dhe Energjisë shpërndau sot një video informuese mbi
Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare, lider në prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri.
HEC-i i Fierzës, i pozicionuar në pjesën e sipërme të kaskadës ka 4 turbina secila me fuqi 125 MW, një digë 161.5 metra të lartë dhe rezervuar me 2.7 miliard m3 ujë. Ai ka një prodhim mesatar vjetor të energjisë prej 1330 GWh.
HEC-i i Komanit, është HEC kyç në prodhimin dhe shfrytëzimin e kaskadës së Drinit. Ai ka 4 turbina secila me fuqi 150MW dhe një digë 115.5 metër të lartë. Me një rezervuar me 500 milionë m3 ujë, ky HEC ka një prodhim mesatar vjetor të energjisë prej 1811 GWh.
HEC-i i Vaut të Dejës është HEC-i fundor i kaskadës dhe ka 5 turbina secila me fuqi 50MW . Me një rezervuar prej 580 milionë m3 ujë ai ka prodhim vjetor mesatar të energjisë prej 872 GWh./m.m/j.p/





















