TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Pastrimi i qytetit dhe krijimi i kushteve për jetë normale komunitare, është nisma e bashkisë Kukës, e cila po “përqafohet” edhe nga emigrantët kuksianë që punojnë e jetojnë prej vitesh jashtë Shqipërie.
Rasti i tillë është ai i dy të rinjve nga lagjja Ramhas, të cilët në bashkëpunim me bashkinë Kukës do të ndërhyjnë për rrethimin e varrezave të lagjes si dhe vendosjen e një çezme, që do i shërbejë çdokujt që do i vizitojë këto varreza, por edhe banorëve të zonës.
“Vijoj të jem i mendimit, se bashkëpunimi i të gjithë banorëve, që jetojnë apo jo në Kukës, është i rëndësishëm, për ta çuar Kukësin në nivelin e duhur”, u shpreh sot kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici.
Rasti i dy emigrantëve nga kjo lagje, vjen menjëherë pas donacionit të Ajet Cenës, i cili përmes 10 mijë dollarëve bëri të mundur ndërtimin e një çezme në parkun e madh të Kukësit. /m.m/












