SPANJË, 27 gusht, /ATSH-AFP/ – Xhenierët e ushtrisë spanjolle shpërthyen të hënën, në brigjet e Barcelonës, një bombë që datonte nga Lufta Civile (1936-1939), zbulimi i së cilës çoi në evakuimin e një plazhi të populluar të qytetit, njoftoi Roja Civile.
“Bomba u gjend 25 metra larg bregut dhe përmbante 70 kilogramë TNT, një substancë tejet e paqëndrueshme”, theksoi një zëdhënës i Rojas Civile.
Për këtë arsye, ishte e detyrueshme që ajo të transportohej një milje detare larg bregut (1852 metra), për të kryer një shpërthim të kontrolluar, në një thellësi prej 45 metrash.
Sipas kryebashkiakut të Barcelonës, bomba i përkiste Luftës Civile, një periudhë gjatë së cilës Barcelona ka pësuar bombardime të shumta nga aviacioni italian, aleat i forcave ushtarake kryengritëse të gjeneralit Francisco Franco, që fituan konfliktin në vitin 1939./
/e.vokopola/























