FOTO/ Berat, restaurohet banesa Ago monument kulture

TIRANË, 27 gusht/ATSH/- Banesat karakteristike të qytetit të Beratit, reflektojnë influencat e traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 të erës sonë.

Këto banesa, një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, janë gjithnjë e më shumë në vëmendjen e specialistëve të monumenteve të kulturës.

Ditët e fundit punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Berat po punojnë për restaurimin e fasadës së banesës Ago në lagjen Goricë, monument kulture kategori e dytë.

“Pas ndërhyrjes në strukturën e catmasë dhe sovatimit të saj puna vazhdon me lyerjen me gëlqere, restaurimin e dritareve, fashaturave, lyerje me vaj lini e antimol të gjithë elementëve drusorë duke nxjerrë në pah vlerat e këtij monumenti shum pranë urës së Goricës”, bën të ditur drejtori i DRKK, Berat, Eugen Kafllani.

Kafllani falënderon CHWB Albania me të cilët, shprehet ai, vazhdon një raport pune në dobi të monumenteve duke restauruar kështu edhe një tjetër banesë.

Në vitin 1961, Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë./k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.