Ballina Bota

FRANCË – Macron: G7 kundër zhvillimit bërthamor të Iranit

PARIS, 26 gusht /ATSH-AA/- Vendet anëtare të G7 kundërshtojnë një Iran me armë bërthamore, deklaroi presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

“Ne së bashku me udhëheqësit e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së diskutuam rreth Iranit”, u tha Macron gazetarëve në ditën e dytë të samitit të G7 në qytetin francez Biarritz.

“Asnjë anëtar i G7 nuk dëshiron që Irani të bëhet me armë bërthamore dhe së dyti të gjithë anëtarët e G7 janë thellësisht të lidhur me stabilitetin dhe paqen në rajon”, tha Macron.

Pavarësisht raporteve të fundit në media, Macron tha se ai nuk mori një “mandat zyrtar nga G7” për t’ia përcjellë mesazhet Teheranit.

Ai shtoi se do të vazhdojë të ketë bisedime me Iranin në javët e ardhshme për të ulur tensionet.

Para samitit të G7, shefi i diplomacisë iraniane, Zarif vizitoi Parisin, ku pati bisedime të ndara me Macron-in dhe homologun e tij francez Jean-Yves Le Drian. Marrëveshja bërthamore e Iranit ishte fokusi kryesor i vizitës.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump konfirmoi se G7 nuk i kishte dhënë Macron-it mandatin të fliste me Iranin në emër të grupit, duke thënë: “Jo, unë nuk kam diskutuar rreth kësaj”.

Trump gjithashtu tha se ai mbështet afrimin e kryeministrit japonez Shinzo Abe me Iranin.    /os/j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEKNOLOGJI – AI mëson të lajë … pjatat
Artikulli tjetërGjimnazistët e Tiranës, pjesë e projektit amerikan për fjalimet publike