TIRANË, 24 gusht /ATSH/- Udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave, lehtëson procedurën e pagesave për tatimpaguesit, nëpërmjet lidhjes së një marrëveshje me administratën tatimore për pagesën me këste të detyrimeve.
Sipas udhëzimit i cili është botuar në Fletoren Zyrtare, marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore si rezultat i një vlerësimi tatimor të kryer, si dhe për detyrime tatimore të vetëdeklaruara (vetëvlerësimit) nga tatimpaguesi. Por në këtë rast ka dy përjashtime kryesore, që nuk lejohet pagesa me këste.
Sipas udhëzimit, “administrata tatimore nuk hyn në një marrëveshje të pagesës me këste, vetëm për detyrim tatimor mbi të ardhurat të mbajtur në burim dhe të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, si dhe për detyrim nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tatimpaguesit.
Ndërsa në të gjitha rastet e tjera, subjektet mund të paguajnë borxhet e akumuluara për shkak të situatave financiare në kompanitë e tyre, me këste. e.xh/j.p/























