TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Partia Demokratike, dega Shkodër, deklaroi sot se “Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit përmes degës në Shkodër ka bllokuar funksionimin normal të Bashkisë Shkodër, duke bllokuar kështu fondet për shërbime e investime”.
“Pas protestave në qytetin e Shkodrës, Edi Rama nuk ngurron as këtë herë të shfaqë urrejtjen që ai ka për Shkodrën e qytetarët e saj. E dimë mirë se sa Edi Rama e do qytetin e Shkodrës, prej faktit që ai prej 6 vitesh qeverisje, në qytetin tonë ka sjellë 0 investime, e tani do të bllokojë edhe investimet që bashkia bën me të ardhurat e veta”, thuhet në këtë deklaratë.
PD, dega Shkodër pretendon se “në mënyrë të drejtpërdrejtë po bllokohen shërbimet për qytetarët e Shkodrës.
“Qytetarët e Shkodrës nuk të kanë asnjë borxh. Ashtu si të gjithë qytetarët e Shqipërisë ato paguajnë taksat dhe për këtë meritojnë shërbimet për të cilat ato vetë po paguajnë”, vijon deklarata./m.m/j.p/





















