FUTBOLL – Ribery i bashkohet Fiorentinës

FIRENCE, 21 gusht /ATSH-AA/ – Klubi italian i futbollit, “Fiorentina” njoftoi sot nënshkrimin e kontratës me lojtarin francez Franck Ribery.

”ACF Fiorentina” me kënaqësi njofton nënshkrimin e kontratës me Franck Ribery”, thuhet në deklaratën e klubit nga Seria A.

Klubi njofton se Ribery do të zyrtarizohet të enjten në stadiumin “Artemio Franchi”.

Lojtari francez u largua nga klubi i Bundesligës, “Bajern Mynih”, në fund të sezonit të kaluar pasi kaloi 12 sezone me klubin gjerman.

Ai fitoi nëntë tituj në Bundesligë, gjashtë kupa të Gjermanisë, si dhe titullin e Ligës së Kampionëve në vitin 2013.

Mesfushori i krahut, 36 vjeç, ka shënuar 124 gola dhe ka dhënë 182 asiste në 425 ndeshje për klubin bavarez.

Para se t’i bashkohej “Bajernit”, Ribery gjatë karrierës së tij ishte pjesë e ekipeve “Bulonjë”, “Ales”, “Brest”, “Metz”, “Marsejë” dhe klubit turk “Gallatasarai”.

Ribery ka bërë 81 paraqitje me përfaqësuesen franceze dhe ka shënuar 16 gola.

Ai ishte pjesë e ekipit të Francës gjatë Kampionatit Botëror FIFA 2006 në Gjermani, ku ekipi i tij ishte i dyti, pasi u mund me 11-metërsha në finale nga Italia me rezultatin 5-3. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.