Ballina Flash

Foto/ Ja si do të transformohet vija e liqenit të Shkodrës

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Në sajë të një financimi të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe Komisionit Europian vija e liqenit të Shkodrës nga Shiroka deri në Zogaj do të transformohet tërësisht.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga ky projekt, i cili do t’i japë një tjetër zhvillim Shkodrës dhe Shirokës.

“Së shpejti… Ja se si do të transformohet vija e liqenit të Shkodrës nga Shiroka, ku ka nisur faza e parë e këtij projekti, e deri në Zogaj. Për këtë projekt, qeveria shqiptare ka siguruar një financim të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe Komisionit Europian”, tha Rama.

Projekti parashikon një ndërhyrjeje tërësore, me rindërtimin e rrugës e të infrastrukturës së ujësjellës kanalizimeve, si edhe ndërtimin e “Lungolagos”, shëtitores përgjatë vijës liqenore nga Shiroka, deri në Zogaj.

Punimet për transformimin e Shirokës kanë nisur në korrik 2018 dhe po vijojnë me intensitet, pas shumë dekadash mungesë investimesh, për t’i dhënë një tjetër imazh kësaj pike turistike mjaft të frekuentuar nga shkodranët, por edhe nga turistët vendas e të huaj.

/m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKINË – Pekini konfirmon arrestimin e një punonjësi të konsullatës britanike
Artikulli tjetërFoto/ Klinika Stomatologjike Universitare, 5500 shërbime kirurgjikale falas në gjashtë muaj