PEKIN, 21 gusht /ATSH-AFP/ – Qeveria kineze konfirmoi sot ndalimin e një punonjësi të konsullatës së Britanisë së Madhe në Hong Kong, i cili ishte zhdukur që prej 8 gushtit, në kuadër të tensionit të shkaktuar nga manifestimet në ish-koloninë britanike.
I pyetur në një konferencë shtypi, zëdhënësi i diplomacisë kineze, Geng Shuang deklaroi se personi është bërë objekt i një ndalimi 15 ditor në Shenzen, qytet kinez pranë Hong Kongut, pasi kishte shkelur një ligj për sigurinë publike.
Një punonjës i konsullatës britanike në Hong Kong, zhdukur që prej 8 gushtit, u arrestua në Kinë, theksoi familja e tij duke konfirmuar se autoritetet e Hong Kongut kishin pranuar arrestimin e tij.
Konsulli britanik kishte refuzuar të bënte publik identitetin e punonjësit të tij zhdukur në rrethana misterioze.
Familja e tij, duke zbuluar dhe identitetin në rrjetin social Facebook, deklaroi se Simon Cheng kishte shkuar më 8 gusht në Shenzhen, në provincën e Guangdongut, një orë nga Hong Kongu, për një takim biznesi.
Në mbrëmje, Cheng u nis për në Hong Kong në bordin e një treni me shpejtësi të lartë dhe ka këmbyer mesazhe me të dashurën e tij në momentin e kontrollit doganor.
“Ne kemi humbur kontaktin me atë që prej kësaj kohe”, theksoi familja në Facebook.
Familja ka theksuar se departamenti i imigracionit të Hong Kongut, pas bisedës me Zyrën Bashkiake të Tregtisë të Shenzhenit, i kishte bërë të ditur se Simon ishte në ndalim administrativ, por nuk kishte marrë më shumë informacione për motivin, vendin apo kohëzgjatjen e ndalimit.
Avokatët kanë konfirmuar se rasti i Cheng ishte trajtuar nga Zyra e Sigurisë Publike të Shenzenit, por nuk kishte arritur të mësonte se ku ndodhej./ /ec/