PRISHTINE, 12 gusht/ATSH/- Prej sot, studentët e Universitetit të Prishtinës do të marrin pjesë në aktivitete të Qeverisë të Kosovës, ndërsa kjo e fundit do t’iu ofrojë mbështetje për pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare.
Kështu u bë e ditur sot, me rastin e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit mes Zyrës së Kryeministrit dhe Universitetit të Prishtinës – Parlamentit Studentor, për nder të 12 Gushtit “Ditës Botërore të Rinisë”.
Koordinatori Nacional për Gjeneratën e Re, Avdullah Hasani, tha se marrëveshja e nënshkruar sot ishte e domosdoshme për të dyja palët, pasi përmes saj studentët bëhen pjesë e aktiviteteve të Qeverisë.
“Nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi të domosdoshme për Parlamentin e Studentëve dhe Qeverinë e Republikës të Kosovës, me arsyen se studentët e UP-së bëhen pjesë e aktiviteteve të përbashkëta me Zyrën e Kryeministrit dhe Qeverinë në përgjithësi. Nëpërmjet këtij memorandumi, Qeveria e Kosovës zotohet se do të përkrahë konferencat ndërkombëtare të studentëve në vende të ndryshme të BE-së, krijimin e hapësirave të punës ëpr parlamentin e studentëve dhe këshillat studentore, zhvillimin e aktiviteteve dhe kampanjave vetëdijësuese për studentë dhe qytetarët e Republikës të Kosovës”, tha ai.
Duke u shprehur optimist për liberalizimin e vizave, ai tha se të rinjtë e Kosovës nuk dallojnë asgjë nga bashkëmoshatarët e tyre evropian.
“Uroj që viti i ardhshëm dhe ditët në vijim, të rinjtë dhe të rejat, studentët e Republikës të Kosovës, të mos i gjejë të diskriminuar në raport me lirinë e lëvizjes. Edoni dhe studentët e Republikës të Kosovës në përgjithësi, të jenë pjesë e lëvizjes së lirë evropiane, të jenë evropianë të ri që synojnë garant ndërkombëtare dhe të na sjellin fitore edhe në gara shkencore sikurse në ato sportive që po prijmë në botë”, u shpreh ai.
Kryetari i Parlamentit Studentor, Edon Nishori bëri të ditura pikat për të cilat kanë rënë dakord me Zyrën e Kryeministrit. E formimi i bibliotekave të zhurmshme sipas tij, është e arritura thelbësore e këtij memorandumi. “Ne kemi menduar këtë iniciativë të mirë që të krijojmë bibliotekat e zhurmshme në UP, ku studentët të mund të kryejnë të gjitha punimet seminarike, prezantimet, punimet shkencore duke mos dalë jashtë këtij kampusi”, tha Nishori.
Krejt në fund, koordinatori Nacional për Gjeneratën e Re, Avdullah Hasani u shpreh se pikat e marrëveshjes së arritur sot do të realizohen në tërësi, pasi sipas tij, qeveritë mund të ndërrohen, por praktikat e mira vazhdojnë./KosovaPress/






















