Ballina Ekonomi

Rruga e Arbrit/ Ritëm i lartë punimesh në Urën e Vashës

TIRANË, 7 gusht /ATSH – I. Vata/ – Vazhdon puna për ndërtimin e Urës së Vashës, një nga urat më të mëdha të Rrugës së Arbrit, e cila me ritmin e shpejtë të punës, pritet të përfundojë para afatit.

Segmenti nga Zall-Bastari tek Ura e Vashës, me gjatësi rreth 22.9 km, është më i rëndësishmi dhe kalon në një territor të vështirë nga ana topografike.

Në këtë segment parashikohen të ndërtohen edhe veprat më të mëdha të artit. Rruga e Arbrit do të ketë gjithsej 6 ura, por ajo më e madhja e më e rëndësishmja është Ura e Vashës e cila kalon mbi lumin Mat dhe bashkon fshatin Fshat me Planin e Bardhë, në Bashkinë e Klosit.

Vepra ka hyrë tashmë në fazën përfundimtare të betonimit dhe hidroizolimit dhe pritet të përfundojë para afatit të parashikuar në kontratë.

Ura e Vashës lidh dy tunelet T5 dhe T6 në dy shpatet e malit. Ura përbëhet nga konstruksion metalik në një hark rihter. Ka 27 kolona paralel në të dyja anët e urës, të cilat ngrihen drejt lart. Ura ka një gjatësi hapësirë drite 160 metra, pjesa e kalueshme mbi konstruksion metalik është 220 metra, ndërkohë që vetë ura është 242 metra.

Ura e Vashës do bashkojë arterien e rrugës së Arbrit që lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banoreve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore siç është kromi nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

E gjithë pjesa e rrugës së Arbrit që ka mbetur për t’u ndërtuar është 54 km, në të cilën koncensionari ka realizuar më shumë se 28% të punimeve.

Në bazë të kontratës rruga duhet të përfundojë brenda 44 muajsh, por me volumin e kryer dhe me angazhimin e koncensionarit pritet që përfundojë para afatit.

Gjithashtu ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare. Aksi do të shkurtojë me rreth 70 kilometra rrugën e sotme nga Burreli.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Task Forca e Transportit Rrugor, kontrolle në stacionet e linjave urbane
Artikulli tjetërModriç te “Milan”, mes ëndrrës dhe realitetit