Ballina SPORT

Modriç te “Milan”, mes ëndrrës dhe realitetit

TIRANË, 7 gusht/ATSH/- Luka Modriç te “Milan”, është një histori mes ëndrrës dhe realitetit. Edhe pse po të dëgjosh fjalët e  Drejtorit teknik të kuqezinjve, Paolo Maldinit, duket si tratativë e pa mundur, sërish ëndrra e kuqezinjve për të transferuar nënkampionin e botës  nuk është e venitur.

“Është një futbollist perfekt për ne, por nuk ka asnjë tratativë”, do të thoshte pak ditë më parë Paolo Maldini. Nën kampion i botës duket se nuk është më në planet e madrilenëve dhe largimi nga “Los Blancos” nuk është i pamundur.

Mosha e madhe e lojtarit ndikon  në uljen e ofertave dhe për këtë arsye dhe pretendimeve të futbollistit, duke parë rrogën e lartë që merr te skuadra e drejtuar nga Zinedine Zidane. Prandaj dhe skenari kuqezi nuk duket dhe aq utopi, madje merr jetë teksa sheh që Zvon Boban, pjesë e stafit të “Milanit” ka zhvilluar disa takime me menaxherin e futbollistit, Vlado Lemiç. 34-vjeçari ende nuk është shprehur publikisht mbi vullnetin e tij për të qëndruar ose jo në Madird.

Modriç, fitues dhe i topit të artë vitin e shkuar, do të ishte një zgjidhje ideale për mesfushën kuqezi, që po rinovohet totalisht këtë sezon. “Milan”, duke parë problemet financiare të viteve të fundit ka vendosur të ndërtojë një skuadër nga e para dhe në zemër të mesfushës një lojtar si kroati Modriç do të ishte përfekte për të frymëzuar të rinjtë e për ti motivuar ato drejt fitores.

“Sportmediaset” në një artikull të publikuar të mërkurën thekson se jemi mes ëndrrës dhe realitetit, pasi rroga e lojtarit momentalisht është 7.5 milionë euro dhe ka një kontratë që skadon pas tre sezonesh. Prandaj dhe “Milan” nëse dëshiron të marrë futbollistin do ti duhet të hyjë në tratativa me “Real Madrid” që kërkon rreth 20 milionë euro për mesfushorin.  “Milan” nuk është e gatshme të paguaj kaq shumë për një veteran, por një formulë huazimi do të ishte idealja për kuqezinjtë, duke e kthyer ëndrrën realitet.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRruga e Arbrit/ Ritëm i lartë punimesh në Urën e Vashës
Artikulli tjetërShqipëria U-17 do të zhvillojë dy miqësore më 13 dhe 15 gusht