Ballina Flash

Këshilla për jetë të shëndetshme gjatë verës

TIRANË, 30 korrik/ATSH/Ardhja e stinës së verës shoqërohet me rritje temperaturash si dhe me dëshirën tonë të madhe për t’u ekspozuar sa më shumë në diell.

Ne mund të ndihemi mirë në diell, sidomos kur kemi dalë nga stina e dimrit. Por, kujdes. Qëndrimi i gjatë në diell mund të sjellë pasoja dhe probleme të shumta për shëndetin.

Stina e verës, e pasur me fruta dhe perime, është mundësia më e mirë për të gjithë ata që duan të bien nga pesha, por edhe për të marrë të gjitha ushqimet e shëndetshme.

Frutat dhe perimet nuk duhet të mungojnë në tryezën e gjithsecilit në stinën e verës, rekomandojnë dietologët, për një ushqyerje sa më të shëndetshme. Pjata e parë në tryezë gjatë kësaj stine duhet të jetë sallata me perime.

Sa i takon llojit që duhet të konsumohet, në tryezat tona nuk duhet të mungojnë asnjë ditë zarzavatet jeshile. Në një nga vaktet e përditshme duhet të jenë të pranishme sallata jeshile, spinaqi, etj, sa më të freskëta dhe sa më pak të gatuara, pasi kështu nuk rëndojnë organizimin dhe treten më shpejt.

Po ashtu, domatet dhe specat e të gjitha ngjyrave janë të rekomandueshme për t’u konsumuar në këtë stinë. Speci i kuq, sipas dietologëve, është më i pasur me vitaminën C dhe është një nga antioksidantët që ruan shumë sistemin imunitar. Në stinën e verës, sipas mjekëve, ka mjaft agjentë që sulmojnë sistemin imunitar të njeriut.

Në Shqipëri rrezatimi diellor është më i fortë midis muajve maj dhe gusht, prandaj  këshillohet që gjatë kryerjes së aktiviteteve tuaja të përditëshme të mos abuzohet me ekspozimin në diell dhe të tregojmë kujdes ndaj temperaturave të larta.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik rekomandojnë që gjatë verës të ushqeheni shëndetshëm, të konsumoni ujë, të kryeni aktivitet fizik si dhe të qëndroni në ambiente të freskëta.

z.tosku/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTiranë-Policia rrugore vendos mbi 2500 masa administrative dhe 23 të ndaluar
Artikulli tjetër15 mijë familje kanë përfituar bonusin e bebes nga 1 Janari në të gjithë vendin