Ballina Aktualitet

Teatri, Soreca: Çështje e politizuar, procedurat e tenderimit të jenë sipas BE

TIRANË, 29 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/ -Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Lugi Soreca, deklaroi sot se sa i përket çështjes së Teatrit Kombëtar është e rëndësishme që të respektohen të gjitha procedurat dhe ligjet.

“Kjo çështje është vërtet shumë e rëndësishme dhe është pjesë e një debati intensiv që po bëhet në shoqërinë shqiptare ku janë përfshirë shumë ndenja dhe interesa. Për këtë arsye kjo është një çështje delikate por edhe e politizuar”, tha Soreca.

“Sigurisht që nuk duhet të jemi ne ata që të themi nëse duhet të ketë ndërtim të një ndërtese të re apo rinovim të ndërtesës së vjetër. Këtë detyrë e kanë autoritetet shqiptare”, theksoi Soreca.

“Pozicioni ynë për këtë çështje ka qenë i qartë që nga muaji shtator i vitit të shkuar. BE i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare që ato të jenë gjithnjë në përputhje me të gjitha rregullat e prokurimit publik të BE dhe të sigurohen që të ketë qasje jo diskriminuese në treg”, tha Soreca.

Ky, vijoi ai, “duhet të jetë parimi që duhet të udhëheqë autoritetet shqiptare dhe tashmë është lancuar tenderi për zhvillimin e mëtejshëm. Mendoj që është e rëndësishme të ketë kritere të qarta dhe transparente për këtë projekt dhe të ketë një qasje të drejtë dhe të ndershme në lidhje me këtë çështje”.

Në lidhje me deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE, Thomas Greminger, Soreca tha se, “I kam ndjekur deklaratat e Greminger që nxori më pas dhe një deklaratë tjetër për të sqaruar pozicionin e vet”.

“Mendoj se kjo është një çështje për të cilën vijon të ketë debat të madh në Shqipëri. Ajo që është shumë e rëndësishme për ne është respekti i sundimit të ligjit apo shtetit të së drejtës. Procedurat e tenderit duhet të jenë në përputhje me ato të BE. Tenderi është i hapur akoma dhe e rëndësishme është çështja e konkurrencës së lirë dhe të drejtë. Mesa di unë procedurat e tenderit do të jenë të hapura deri më 19 shtator”, tha ambasadori i BE.

“Kjo është një çështje e vështirë që duhet trajtuar me kujdes nga të gjitha palët dhe në veçanti edhe nga autoritetet ligj zbatuese duke respektuar në çdo moment rregullin bazë të fjalës dhe shprehjes. Për ne elementi më i rëndësishëm këtu është ai që ka të bëjë me konkurrencën e lirë dhe të drejtë që kjo të sigurohet deri në momentin e fundit të kësaj procedure tenderimi”, u shpreh Soreca.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRrëshqitja e gurëve nga moti i keq, zhbllokohet njëri krah i rrugës Krujë-Sarisalltëk
Artikulli tjetërPas Ramsey dhe Rabiot, “Juventus” kërkon edhe Eriksen