Rrëshqitja e gurëve nga moti i keq, zhbllokohet njëri krah i rrugës Krujë-Sarisalltëk

TIRANË, 29 korrik/ATSH/- Moti i keq që mbizotëroi prej mbrëmjes së djeshme në vendin tonë ka sjellë rrëshqitjen e një masivi të madh gurësh në aksin Krujë-Sarisalltëk.

Punonjësit e drejtorisë së Shërbimeve Publike të bashkisë së Krujës po punojnë intensivisht prej mëngjesit të sotëm për të zhbllokuar rrugën që lidh qytetin me malin e Sarisalltëkut.

Bashkia e Krujës bën të ditur për ATSH-në se “njëri krah është hapur dhe po punohet për hapjen e krahut tjetër të rrugës”.

Sipas bashkisë, po punohet intensivisht edhe për pastrimin e gjithë segmentit rrugor nga gurët.

Fatmirësisht gjatë rrëshqitjes së gurëve nuk ka pasur dëmtime në njerëz apo dëme materiale, pasi rruga ka qenë e boshatisur./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.