Ballina Aktualitet

OSBE vendos: Konferenca e Mesdheut, mbahet në Tiranë

TIRANË, 27 korrik /ATSH/- Tirana do të presë në fund të muajit tetor Konferencën Mesdhetare të OSBE-së, me 57 vendet anëtare dhe me pjesëmarrjen e vendeve mesdhetare si, Egjipti, Jordania, Izraeli, Algjeria, Maroku dhe Tunizia. Përveç këtyre vendeve të ftuar do të jenë edhe një sërë organizatash ndërkombëtare si dhe partnerët aziatikë si: Afganistani, Australia, Japonia, Korea dhe Tailanda.
Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, bën të ditur se vendimi është marrë nga Këshilli i Përhershëm i Ambasadorëve të OSBE-së.
“Ky vendim dëshmon edhe njëherë mbështetjen dhe besimin që vendet anëtare të OSBE-së kanë ndaj Shqipërisë”, shkruan Cakaj.
Mbajtja e kësaj konference në Shqipëri kulmon kryesimin e vendit tonë të Grupit të Kontaktit për Mesdheun në kuadrin e Kryesimit nga Shqipëria të OSBE-së në 2020.
“Në fokus të kësaj Konference do të jetë eksperienca 25-vjeçare e partneritetit të OSBE-së me vendet e Mesdheut duke u ndalur në rëndësinë e dialogut në përballimin e sfidave të përbashkëta por dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim”, shkruan Cakaj.
Ai njofton se “tematikat e sesioneve të saj do të prekin praktikat më të mira në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, promovimin e rinisë si faktor sigurie në rritjen e qëndrueshmërisë dhe ndërtimin e urave të komunikimit mes dy brigjeve të Mesdheut”.
Konferenca do të nënvizojë edhe rolin thelbësor të dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor në promovimin e sigurisë në zonën e OSBE-së në marrëdhënie me partnerët mesdhetarë.
“Shqipëria nga ana e saj do të ofrojë të gjitha kapacitetet e veta dhe ekspertizën e krijuar për promovimin e vlerave të harmonisë fetare, luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe parimeve universale të të drejtave të njeriut”, përmbyll Cakaj postimin e tij. /e.xh/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – Një muze për foto selfie …dedikuar të apasionuarve të  Instagramit
Artikulli tjetërSHËNDETËSI – Gati valvulat e para me porosi për zemrën