TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Publikimi dhe shpërndarja e regjistrimeve dhe videove që përmbajnë aspekte të jetës private të viktimave, të cilat në shumicën e rasteve janë gra dhe vajza, ose edhe të mitura, do të dënohet deri me tre vjet burg.

Parlamenti ka miratuar ndryshimet e fundit të Kodit Penal, ku sipas “UN Women”, organizatës ndërkombëtare që operon në Shqipëri, neni 121 kriminalizon këtë akt që ka pasoja të rënda në jetën e grave dhe vajzave, shpesh duke çuar deri në vetëvrasje.
“Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi ose regjistrimi i fjalëve ose regjistrimi i figurave, si dhe ruajtja për publikim i të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit pa pëlqimin e tij, përbën kundra vajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi me çdo mjet ose formë të komunikimit publik apo mënyrë tjetër, i të dhënave të marra në mënyrën e përcaktuar në paragrafin e parë të këtij neni, dënohet me burgim deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet ndaj personave të mitur dënohet me burgim nga 1 deri në 3 vjet. Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror apo shërbimit publik apo nga personi që disponon këto të dhëna për shkak të detyrës shtetërore ose shërbimit publik, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet”, – thuhet në nenin 121. /z.tosku/






















