Ballina Aktualitet

Lleshaj: Rivendosje e ligjit në çdo centimetër katror të bregut të Shqipërisë

TIRANË, 19 korrik/ATSH-Harilla Koçi/ Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kërkoi sot një veprim të vendosur për të zbatuar ligjin në vijën bregdetare të Vlorës, në të kundërt paralajmëroi penalizime.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mori pjesë sot në takimin e Komitetit Rajonal për Zhvillimin e Turizmit për qarkun Vlorë, ku kërkoi rivendosjen e ligjit në çdo centimetër katror të bregut të Shqipërisë.

Duke u ndalur në nivelin e paligjshmërisë në bregdet, Lleshaj tha se “nga 139 subjekte, vetëm 11 janë të ligjshme nga këto që keni në vijën bregdetare”.

“Vetëm kjo shifër e bën gjithë analizën dhe na i shteron të gjitha diskutimet. Vetëm 11 janë të ligjshme në bregdetin, të cilin kontrolloni ju. Kaq e vërtetë dhe kaq e hidhur është shifra dhe realiteti. Bëhet fjalë për një pasuri publike. Vija e bregdetit shqiptar, ujërat e tij nuk janë pronë private. E vetmja gjë që s’privatizohet, për fat të mirë deri sot, kjo është, këtu e në gjithë botën! Është pronë publike, e cila shfrytëzohet nga persona privatë”, tha ministri.

Lleshaj tha se është paradoks që publiku vjen në breg te prona e tij, te rëra e tij, tek uji i tij dhe paguan te një privat, i cili, nuk i kthen as edhe një qindarkë mbrapsht si shërbim, përmes taksës.

Lleshaj tha se tashmë është shumë vonë për thirrje, sepse jemi pothuajse në mes të sezonit dhe këtu e vetmja gjë që ka nevojë të bëhet, është veprimi.

“Veprimi i vendosur për të vendosur ligjin, aty ku ai mungon. Pikërisht në asetin më të çmuar që kemi ne, në vijën tonë bregdetare, dhe në kurorën e tij, që është Vlora dhe pjesa tjetër e rivierës. Sot doja të merrja me vete Drejtorin e Krimit Ekonomik dhe të Korrupsionit në Policinë e Shtetit. Meqenëse ai ishte i ngarkuar, kam marrë shefin e tij, që është Drejtori i Departamentit të Hetimit në Policinë e Shtetit, Vocaj, për të thënë një mesazh të qartë për ata që kanë përgjegjësi zyrtare për këtë gjendje: e vetmja rrugë për të dalë nga kjo situatë, është ushtrimi i përgjegjësive, rivendosja e ligjit në çdo centimetër katror të bregut të Shqipërisë”, tha ministri.

Lleshaj tha se “nuk mund të pranohet asnjë person, i cili zapton bregun dhe nuk paguan asnjë cent dhe nuk ka asnjë letër”. “Nuk mund të kthehet në xhungël urbane pjesa më vitale e Shqipërisë, dhe për këtë jeni ju përgjegjës, secili nga një këndvështrim i caktuar. Më duket se pikërisht ngaqë jemi kaq shumë përgjegjës, ngelet jetime përgjegjësia. Se edhe dy vetë do të mjaftonin për ta vënë nën kontroll gjendjen e këtij bregdeti; dy jo tre, 2! Një polic dhe një inspektor. Kështu që dua t’ju njoftoj që java që vjen do të jetë javë veprimi nga të gjitha strukturat, me qëllim që këtu në këtë bregdet të operohet vetëm në bazë të ligjit. Të mos ketë as zaptues, as grabitës. Sepse, nëse do ta lejomë këtë gjendje, atëherë do të jemi të detyruar t’i përgjigjemi pyetjes: A jemi të paaftë për të vendosur gjendjen? Apo nuk duam ta rivendosim gjendjen aty ku duhet”, vijoi ministri.

Java që vjen, sipas Lleshaj, “është afati i fundit për këtë qëllim. Nëse ne nuk do të arrijmë që brenda javës që vjen, të jetë rivendosur gjendja, do të ketë dy mundësi: ose do të ketë përgjegjësi penale, për shpërdorim detyre dhe korrupsion për personat, që nuk kanë ushtruar përgjegjësinë e tyre dhe, nëse kjo nuk ndodh, do të keni një drejtor policie mangut këtu. Pra, duhet të gjejmë një drejtor tjetër të policisë. Qoftë në qendër këtu në Vlorë, qoftë në Drejtorinë e Krimit Ekonomik. Nuk ka asnjë mundësi tjetër. Është turpëruese dhe e papranueshme gjendja”, tha ai./m.m/j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKlosi: Mbi 2 mijë metra katrorë plazh në Golem u kthehet pushuesve
Artikulli tjetërMeta: I bindur në pafajësinë e Ramush Haradinajt