Ballina Bota

BERLIN – Merkel: E shqetësuar për mbështetjen e Moskës ndaj populistëve

BERLIN, 19 korrik /ATSH-AFP/ – Mbështetja e Moskës ndaj partive populiste është një arsye për t’u shqetësuar, deklaroi sot kancelarja gjermane, Angela Merkel ndërkohë që në Itali janë ndezur polemika rreth dyshimeve për një sponsorizim të mundshëm të partisë Lega (ekstremi i djathtë), në pushtet, nga Rusia.

“Kemi vënë re se partitë e orientuara nga e djathta, partitë populiste, janë mbështetur vazhdimisht në një formë apo në një tjetër nga Rusia. Kjo është arsye për t’u shqetësuar”, deklaroi kancelarja gjermane gjatë konferencës tradicionale për shtyp të verës, që u zhvillua në Berlin.

Merkel nuk preferoi të shprehej hapur për dyshimet lidhur me partinë Lega të Mateo Salvinit, shtyllë e fortë e qeverisë.

“Kam dëgjuar të flitet, por i takon Italisë të hedhë dritë mbi këtë cështje”, tha ajo.

“Sigurisht, kjo çështje ngre pyetje mbi praktikat e ndjekura në përgjithësi nga Rusia “, shtoi kancelarja.

Portali amerikan i informacionit BuzzFeed konfirmoi, para një jave, se zotëronte “një regjistrim audio bombë në të cilin një bashkëpunëtor i ngushtë” i Mateo Salvinit dhe pesë persona të tjerë dëgjoheshin tek negocionin një marrëveshje për mënyrën se si të devijonin dhjetëra milionë dollarë që vinin nga nafta ruse drejt partisë së djathtës ekstreme, Lega./ /dm/ a.jor.

 

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKandidati për kryeprokuror Olsian Çela përballet me KPK, vendimi më 23 korrik
Artikulli tjetërGjykata e Krujës njeh mandatin e kryetarit të bashkisë, Artur Bushit