TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në selinë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në Sarajevë, ku u prit nga drejtuesja e kësaj organizate, Majlinda Bregu.
“Kënaqësi të jem Presidenti i parë shqiptar që vizitoj selinë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në Sarajevë, e njëkohësisht të bisedoj me shqiptaren e parë në krye të kësaj organizate të rëndësishme Majlinda Bregu, e cila po bën një punë të shkëlqyer për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e proceseve integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Meta.
Presidenti Meta më herët mori pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore (SEECP), që u mbajt në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve të vendeve të Europës Juglindore. /j.p/


















