TIRANË, 1 korrik /ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar qytetarët shqiptarë që dje iu larguan konfrontimit dhe dhunës duke respektuar në mënyrë qytetare njëri-tjetrin.
“Urime të gjithë qytetarëve që dje iu larguan konfrontimit dhe dhunës duke respektuar në mënyrë qytetare njëri-tjetrin, pavarësisht nga qëndrimi ndaj votimeve socialiste të thirrura nga kryeministri Rama”, – shprehet Meta.
Sipas tij, “Shqipëria shpëtoi nga kurthi i përplasjes civile, ndaj i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët që nuk ranë viktimë e retorikës konfrontuese të liderëve të papërgjegjshëm, që përmes nxitjes së dhunës duan të fshehin skandalet dhe llogaridhënien e tyre” thotë Meta.
“Për sa i takon tejkalimeve të planit në votimet socialiste, asnjë surprizë nuk kisha”, thekson Meta, duke shtuar se, “tani më duhet të “shpik” një dekoratë të re, që besoj me ndihmën e Kuvendit socialist do miratohet, atë të “Heroit të votave socialiste””.
Ndërkohë Meta ka publikuar edhe një video ku shprehet se, “për të shijuar rikthimin e kohës së votimeve kolektive, ju ftoj të ndiqni edhe këtë video”.
/gj.mima/ /a.g/























