Meta: Data kushtetuese e zgjedhjeve është 13 tetor

TIRANË, 28 qershor /ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shkruar një letër të dytë publike, kësaj here drejtuar qytetarëve, për të vënë theksin se data kushtetuese, sipas tij, është 13 tetori dhe jo 30 qershori, që ka dekretuar më herët.

“Nga dje, data kushtetuese e zgjedhjeve vendore është 13 tetor 2019. Situata është e qartë dhe e padiskutueshme nga ana ligjore dhe kushtetuese. Gjithsesi kryeministri po insiston për të shkuar në votime socialiste në datën 30 qershor 2019. Ju këshilloj ta merrni atë me qetësi e mençuri, dhe të mos bini pre e provokimeve, sepse ato u shërbejnë vetëm atyre që duan të legjitimojnë kapjen totale të shtetit dhe instalimin e një regjimi njëpartiak”, thekson ai.

“T’i respektojmë dhe të mos konfrontohemi me të gjithë ata bashkëqytetarë që do të shkojnë në këto votime socialiste. Konfrontimi dhe dhuna nuk i shërben Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane, dhe sidomos bashkëjetesës sonë qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo komunitet dhe në të gjithë shoqërinë tonë. Mos u nervozoni nga provokimet që do t’ju bëhen për t’ju çuar drejt dhunës”, shprehet Meta.

“Ndoshta e teproj, por për t’i shijuar tamam votimet socialiste dhe për t’ju rikthyer qoftë dhe për 1 ditë asaj periudhë 45-vjeçare, shoqërojini me dajre e daulle si njëherë e një kohë. Ata vetë do votojnë, vetë do t’i numërojnë. Të gjithë shqiptarët së bashku, në mënyrë demokratike, të fshehtë, të lirë dhe të ndershme do të zgjedhin vetëm në 13 tetor 2019. Ndaj ju ftoj të ndiqni dhe këtë video për t’u shtensionuar sadopak në prag të kësaj fundjave interesante”, thekson Meta teksa bashkangjitur letrës ka publikuar një video të votimeve në kohën e komunizmit në Shqipëri.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.