TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u zotua të mbështesë projektet për Gramshin gjatë një takimi elektoral për zgjedhjet e 30 qershorit në këtë bashki, duke falënderuar së pari kryetaren e bashkisë në këto katër vjet e cila ia lë stafetën kandidatit Klodian Taçe.
Kryeministri Rama falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen duke theksuar se ky është takimi me pjesëmarrjen më të madhe që ka pasur në Gramsh. “I shpreh falënderim përpara të gjithëve kryetares së bashkisë për gjithë përkushtimin, punën dhe faktin që në gjithë këto vite ka qenë pikë referimi dhe asnjëherë nuk është kursyer në shërbimin ndaj qytetarëve të bashkisë”, – tha Rama.
“Ka qenë zgjedhja e vetë komunitetit dhe PS në Gramsh për të kaluar stafetën tek Klodi dhe kam besim që puna e nisur do vazhdojë dhe të jeni të bindur se nuk do i mungojë mbështetja, po bashkërisht në 4 vite me votën e 30 qershorit do bëjmë më shumë se në katër vitet që po mbyllen”, – tha Rama.
“E kam thënë edhe në bashki të tjera ku ne drejtojmë, se do ishte fushatë e bukur dhe e thjeshtë për ne nëse kundërshtarët do na kishin dalë përballë për t’u ballafaquar me popullin, me idetë, programet, skuadrat kundërshtare, pasi pas 4 viteve që mbyllen për bashkitë, për ne flasin punët më shumë sesa të gjitha fjalët që mund të thuhen”, – tha Rama.
“Mjafton kjo hapësirë ku jemi mbledhur edhe më parë apo ajo hapësirë këtu pranë ku më parë kalohej vetëm me çizme apo hapësira të tjera të transformuara në Gramsh e përtej, së bashku me rrugën lidhëse për të qenë në avantazh të madh me ata që fatkeqësisht nuk na kanë dalë përballë por na presin pas ferrave në çdo stacion”, – tha Kryeministri Rama. /j.p/























